LAJMI I FUNDIT:

Për të mbijetuar, muzeu i njohur londinez mendon të shesë një vepër të madhe arti

Për të mbijetuar, muzeu i njohur londinez mendon të shesë një vepër të madhe arti

Është një nga muzetë më të njohur në Londër dhe në Britaninë e Madhe, një emër me peshë në artin bashkëkohor evropian. Por, në kohë pandemie, edhe një emër i madh mund të përballet me vështirësi.

Shteti britanik deri më tani ka paguar si asistencë pjesë të rrogave për 150 punonjësit e muzeut, por në tetor paketa e qeverisë për “Royal Academy” përfundon, dhe dimri nuk duket aspak premtues për arkëtime të bollshme.

Muzeu që ndodhet në një nga zonat më prestigjioze të kryeqytetit britanik, prej muajsh pas rihapjes ka mbetur praktikisht i boshatisur nga mungesa e flukseve turistike dhe prioriteteve të reja të anglezëve. Kështu, burime në këshillin drejtues të muzeut kanë përhapur lajmin se po mendohet për shitjen e një prej veprave të saj. Jo një vepër si të tjerat, por një nga kryeveprat e Michelangelos. Bëhet fjalë për veprën e quajtur Tondo Taddei, skulptura në formë basorelievi e mjeshtrit italian të Rilindjes. Edhe pse për të nuk ka pasur kurrë asnjë ankand, një çmim është përllogaritur në rreth 100 milionë stërlina, të mjaftueshme për të rezistuar disa kohë pa dërguar në shtëpi pjesën më të madhe të stafit.

Disa mendojnë se mund të jetë muzeu më i famshëm i artit i Londrës, National Gallery, që mund të bëj “sakrificën” e blerjes, duke mos turpëruar mbretëreshën me një shitje jashtë vendit. Por, nuk përjashtohen gjithsesi tundimet që mund të vijnë nga vendet arabe. /A2/