LAJMI I FUNDIT:

Për intelektualët …

Për intelektualët …
José Ortega y Gasset

Nga: Servet Gura

Intelektualët janë njerëzit që vuajnë, rriten dhe piqen me dhimbjet e shoqërisë në të cilën jetojnë dhe ndajnë të njëjtat probleme me të, të paktën mendërisht. Ata duhet të jenë pionierët që shfaqen në skenë, çdo herë që shoqëria përballet me kriza të ndryshme, duke kontribuar në zgjidhjen e problemit të radhës me të cilin përballet shoqëria. Në çdo rast të nevojshëm, ata duhet të jenë sytë, veshët, mendja dhe zemra e shoqërive të tyre – në një kontekst më të gjerë, të mbarë njerëzimit.


Të tillë ishin Nietzsche, Toynbee, Sorokin, Gasset etj., zëra paralajmërues për mbarë botën, veçanërisht Evropën. Në veçanti, filozofi spanjoll, Gasset, në kohën e tij u përpoq të tërheq vëmendjen dhe të paralajmërojë njerëzimin e sapodalë nga Lufta e Parë Botërore dhe që ishte në prag të një lufte të re botërore! Ky intelektual i shquar u përpoq me mendje e zemër të gjente zgjidhje për konfliktet e shkaktuara nga krizat ekonomike, sociale e politike, që krijonin një shqetësim madhorë për botën e Shekullit XX. Pareshtur, ai paralajmëroi njerëzimin përmes botimit të librave, eseve dhe leksioneve të mbajtura në auditorët e universiteteve në Madrid.

Paralajmëroi intelektualët e kohës për afrimin e një epoke të paparë e pajetuar më parë; kundër turmave boshe që kishin zëvendësuar arsyen dhe mendjen e shëndoshë me arbitraritet, vrazhdësi e pangopshmëri! Ai mund të konsiderohet si një ndër intelektualët më të zëshëm të kohës së tij sa i përket angazhimit për edukimin e shoqërisë së kohës dhe paralajmërimin për rreziqet sociale që i kanoseshin. Në veprat dhe leksionet e tij, më së shumti kritikoi intelektualët se sa masat e gjera. Sepse, sipas tij, baza e krizave dhe trazirave të shekullit XX, veçanërisht në Evropë, qëndronte në kokëfortësinë, shthurjen dhe papërgjegjshmërinë e intelektualëve evropianë.

“Nëse nuk do të ishin kokëfortë intelektualët, as kokëfortësia politike nuk do të ishte aq e tmerrshme”, shprehet ai në librin e tij Revolta e masave. Me këtë deklaratë ai nuk ngurroi të kritikonte dhe mërziste intelektualët e kohës së tij të të gjitha sferave. Sepse, sipas tij, intelektualët në vend që të veprojnë si individë të përgjegjshëm ndaj masave dhe t’u bëjnë thirrje atyre për të vepruar me arsye e mendje të shëndoshë; duke vepruar si pjesë e masave, ata u shndërruan në mjete që kënaqnin dëshirat e tyre. Ndërkohë, detyra themelore e intelektualit është të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të masave apo njerëzve me nivel mesatar.

Meqenëse Gasseti ishte një kritik i ashpër, si i të djathtës ashtu edhe i së majtës, ai nuk kënaqte asnjë mendësi ideologjike, por shfaqej si një filozof besnik i një realitetit shumëdimensional. Individë nga të dyja palët, këmbëngulnin të mos i merrnin për bazë mendimet e tij, duke përmendur kritikat e tij si dëshmi se ai mbante anën e palës tjetër. Gjithashtu, ai, siç dënonte krerët e fashistëve dhe komunistëve brenda e jashtë vendit, kritikonte edhe të huajt që gjykonin pa e kuptuar popullin spanjoll! Ata që shmangën mësimet e tij ishin ideologët obsesivë dhe elita që nuk kishin asnjë interes për të lehtësuar vuajtjet e popullit spanjoll.

Gasseti nuk u mjaftua vetëm me leksionet dhe botimin e librit Revolta e masave. Më pas ai botoi një tjetër libër po aq të rëndësishëm mbi nivelin kulturor të masave, në të cilin përmbledh leksionet e tij të mbajtura në auditorët e universiteteve. Librat e tij janë të rëndësishëm, pasi mund të ndihmojnë të kuptojmë problemet e vendit tonë.

P.S. “Sharlatanët” që kanë pushtuar ekranet televizive dhe jo vetëm, janë pasoja të rolit të paluajtur të “intelektualëve” që i kanë paraqitur kërkesë AMA-s. [Një grup i intelektualëve i kanë kërkuar Autoritetit të Mediave Audiovizive të ndërhyjë për shkak të nivelit të ulët të informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, për shkak të promovimit të dijeve amatoreske, të një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi që, sipas tyre, kanë krijuar situatë alarmante.]