Pas sulmeve në rafinerinë ruse në Moskë, Zelensky: Kjo është një përgjigje e drejtë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi njësitë e ushtrisë ukrainase që më 16 qershor goditën me sukses Rafinerinë e Naftës së Moskës, një objekt që sipas Kievit është i lidhur me ushtrinë ruse.
Zelensky tha se rajoni i Moskës e ka ndjerë tashmë fuqinë e kapaciteteve ukrainase për goditje në distanca të gjata.
“Rafineria e naftës u godit në një largësi prej 500 kilometrash. Falënderoj luftëtarët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Forcat e Sistemeve Pa Pilot, Forcat për Operacione Speciale, Inteligjencën Ushtarake të Ukrainës dhe Forcat Raketore për punën e tyre efikase”, deklaroi ai.
Sipas presidentit ukrainas, Rusia duhet të detyrohet t’i japë fund luftës kundër popullit ukrainas.
“Armët ukrainase me rreze të gjatë veprimi janë një nga komponentët e rëndësishëm të këtij presioni. Kjo është një përgjigje e drejtë ndaj sulmeve ruse dhe ndaj zgjatjes së luftës që duhet të marrë fund”, theksoi Zelensky.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, konfirmoi se një dron ukrainas goditi një objekt brenda territorit të rafinerisë, por tha se nuk pati viktima. Autoritetet ruse njoftuan se zjarri u lokalizua shpejt dhe situata u vu nën kontroll.
Sulmi është pjesë e fushatës së vazhdueshme të Ukrainës kundër infrastrukturës energjetike dhe ushtarake ruse, me synimin për të dobësuar kapacitetet e Moskës për të vazhduar luftën. /Telegrafi/






































