Rama: Nëse Shqipëria pranohet në BE, do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqje


Një ishull i Shqipërisë, deri pak kohë më parë pothuajse i panjohur, ka nxjerrë në rrugë mijëra qytetarë dhe e ka vendosur kryeministrin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Revista e njohur ndërkombëtare, Vanity Fair e ka intervistuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka komentuar edhe thirrjet e protestuesve që ai të japë dorëheqje.
Ai tha se “nëse do të ishte e vërtetë që po e shesim tokën tonë te oligarkë të gatshëm ta shkatërrojnë me përbindësha ekologjikë, unë do të isha i pari që do të ndihesha i neveritur”.
I pyetur nëse e mendon ndonjëherë dorëheqjen, Rama u përgjigj: “Për sa kohë do ta ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria pranohet vërtet në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen”.
Rama mbështet mega-resortin e propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Ai tha se “ende nuk ka asnjë projekt konkret”, por “një ide, një ëndërr mbi të cilën po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët mjedisorë më të mirë në botë”.
Që nga 23 maji, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër dhënies së asaj zone Jared Kushnerit dhe Ivanka Trumpit, të cilët synojnë të ndërtojnë resorte luksoze në zona të paprekura dhe të populluara nga pelikane dhe flamingo.






































