Peja ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 72:66 (23:12, 10:22, 22:23, 17:9), në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale të “Play-off”-it. Tashmë rezultati është 2:1 për mitrovicasit, ndërsa ndeshja e radhës zhvillohet në Pejë. Skuadra që shënon tri fitore, kualifikohet në finale.

Vendasit e filluan në mënyrë të përkryer ndeshjen me një seri prej 11:0, ndërsa mysafirët kundërpërgjigjen me Purvis, i cili shënoi pesë pikë radhazi, por verdhezinjtë nuk u ndalën dhe arritën epërsinë më të lartë në ndeshje, 17 pikë, 23:6, kurse çereku i parë përfundoi 23:12, ku 11 pikë i shënoi Purvis. Mysafirët nuk u ndalën në periudhën e dytë, ku arritën të ngushtojnë shifrat në 31:30, e më pas të kalojnë në epërsi prej 31:32, ndërsa pjesa e parë përfundoi 33:34.

Perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë, ku u karakterizua me shumë barazime, dhe ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi, e herë tjetra, pa arritur shkëputjen e madhe, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 55:57. ‘Xehetarët’ ngritën epërsinë në gjashtë pikë, 55:61, që ishte më e larta për mysafirët, por pejanët me një seri prej 7:0, sërish kalojnë në epërsi 62:61. Lojë dramatike u zhvillua deri në fund, ku pejanët ishin më të vëmendshëm dhe fituan 72:66.

Te Peja u dalluan Calvin Godfray me 15 pikë e 15 kërcime dhe Darius Washington me 19 pikë e pesë asistime, kurse te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi dhe Rodney Purvis me nga 15 pikë.