Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar Pentagonin të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake vjetore me Korenë e Jugut, duke e lidhur këtë vendim me refuzimin e Seulit për të mbështetur SHBA-në në luftën kundër Iranit.

Trump argumentoi se stërvitjet janë të kushtueshme dhe se ato “dërgojnë një sinjal krejtësisht të papërshtatshëm dhe armiqësor” ndaj Koresë së Veriut. Sipas tij, Pheniani ka qenë “jo kërcënues dhe respektues” gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë.


“Prandaj, dhe duke qenë se është tepër vonë për t’i anuluar, e kam udhëzuar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, që të reduktojë ndjeshëm Ushtrimet e Përbashkëta Ushtarake”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se së fundmi e kishte pyetur presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, nëse vendi i tij do t’i bashkohej SHBA-së në përpjekjet për “denuklearizimin” e Iranit. Sipas Trump, përgjigjja e Seulit ishte: “Jo, faleminderit!”

Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës së tij kanë kritikuar ashpër edhe aleatët e NATO-s për mungesën e mbështetjes ndaj fushatës amerikane kundër Iranit.

Stërvitjet 11-ditore, në të cilat marrin pjesë rreth 18 mijë trupa të Koresë së Jugut, janë zhvilluar për të rritur gatishmërinë ushtarake përballë kërcënimeve të mundshme nga Koreja e Veriut.

Ushtria amerikane ka deklaruar se stërvitjet verore “Ulchi Freedom Shield” forcojnë “rolin e aleancës si shtyllë kyçe për paqen dhe sigurinë rajonale” dhe riafirmojnë “angazhimin e palëkundur” të SHBA-së dhe Koresë së Jugut për mbrojtjen e territoreve të tyre.

“Ulchi Freedom Shield” është një nga dy stërvitjet kryesore të përbashkëta që SHBA-ja dhe Koreja e Jugut zhvillojnë çdo vit, krahas stërvitjes së përbashkët të pranverës.