Rasti që ka tronditur Amerikën - nëna pranoi se ka vrarë tre fëmijët e saj, por juria nuk arriti ta dënonte

Gjykata në Massachusetts ka shpallur të pavlefshëm gjyqin ndaj Lindsay Clancy, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, pasi juria nuk arriti të merrte një vendim unanim edhe pas gati një jave diskutimesh.
Clancy, 36 vjeçe dhe ish-infermiere, akuzohet se në vitin 2023 vrau tre fëmijët e saj: Core, 5 vjeç, Dawson, 3 vjeç, dhe Callan, vetëm 8 muajsh.
Pas ngjarjes, ajo tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga dritarja dhe pësoi dëmtime të rënda.
Mbrojtja nuk e mohon se Clancy i vrau fëmijët, por argumenton se ajo vuante nga psikoza pas lindjes dhe për këtë arsye nuk mund të mbahet penalisht përgjegjëse për veprimet e saj.
Juria u kthye tri herë në gjykatë për të njoftuar se nuk ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje. Gjykatësi më pas vendosi ta anulonte gjyqin, shkruan cnn.
Ky vendim nuk do të thotë se Clancy është shpallur e pafajshme. Ajo mbetet në paraburgim dhe vazhdon të qëndrojë në një institucion psikiatrik. Prokuroria mund të kërkojë një gjyq të ri ose të shqyrtojë mundësi të tjera ligjore.
Seanca e radhës është caktuar për 29 shtator, kur pritet të bëhet e ditur se çfarë hapash do të ndërmarrë prokuroria.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në SHBA dhe ka nxitur debat mbi psikozën pas lindjes. Për çështjen është prononcuar edhe presidenti amerikan Donald Trump. /Telegrafi/


































