Dramë në fluturimin e American Airlines - burri shkaktoi shumë probleme, pasagjerët e lidhën për ulëse

Një 67-vjeçar nga Arizona është arrestuar pasi dyshohet se shkaktoi një incident gjatë një fluturimi të kompanisë American Airlines, duke detyruar ekuipazhin të devijojë avionin drejt Baltimores.
Incidenti ndodhi në fluturimin AA 618, i cili ishte nisur nga Dallas për në Newark. Sipas FBI-së dhe kompanisë ajrore, gjatë fluturimit pasagjeri Arthur Lundeen dyshohet se u soll në mënyrë agresive dhe shkaktoi shqetësim mes pasagjerëve dhe stafit.
Një pasagjer, Juan Mejia, ish-pjesëtar i organeve të zbatimit të ligjit, tha se situata u përshkallëzua rreth tre të katërtat e rrugës së fluturimit. Sipas tij, Lundeen kishte fyer punonjës të kompanisë dhe pasagjerë të tjerë, kishte përdorur gjuhë vulgare dhe shprehje raciste, si dhe kishte bërë komente fyese ndaj disa grave.
Mejia dhe shoku i tij, Richard Olenick, ndërhynë pasi 67-vjeçari dyshohet se u bë fizikisht agresiv, shkruan cnn.
“Juan e kuptoi menjëherë se duhej të ndërhynte. Ai u ngrit, u ul pranë pasagjerit dhe filloi ta mbante në mënyrë që situata të mbetej nën kontroll”, tregoi Olenick.
Pasagjeri u lidh me shirit ngjitës, ndërsa duart iu lidhën me lidhëse plastike. Dy pasagjerët që ndërhynë qëndruan pranë tij deri në uljen e avionit.
Avioni u devijua rreth orës 22:15 drejt Aeroportit Ndërkombëtar Baltimore-Washington. Pas uljes, policia hyri në avion dhe arrestoi Lundeenin. Më pas, fluturimi vazhdoi drejt Newarkut.
Policia e Autoritetit të Transportit të Marylandit bëri të ditur se Lundeen akuzohet për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe për sulm të shkallës së dytë, për incidente të ndodhura si në aeroplan, ashtu edhe në aeroport.
Gjatë arrestimit, policët vunë re se 67-vjeçari kishte një plagë të hapur në krah. Ai u dërgua për ekzaminim mjekësor.
FBI-ja po heton incidentin, ndërsa edhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur hetimin për devijimin e fluturimit.
“Nuk donim ta lëndonim këtë person. Qëllimi ynë ishte ta ndalonim dhe ta mbanim situatën nën kontroll, në mënyrë që të mos kishte përshkallëzim të mëtejshëm”, tha Mejia.
American Airlines deklaroi se siguria e pasagjerëve dhe stafit mbetet prioriteti kryesor i kompanisë dhe se nuk toleron dhunën. /Telegrafi/


































