Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë javës së fundit janë realizuar një sërë punimesh në shërbim të qytetarëve, të cilat përfshijnë ndërhyrje në infrastrukturë, mirëmbajtje të hapësirave publike dhe përmirësim të shërbimeve komunale.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se këto aktivitete janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve në qytet dhe në zonat përreth.


“Edhe kjo javë, vazhdimësi e punëve të mira në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Peci.

Sipas tij, ndër punët e realizuara përfshihen rregullimi i rrjetit të kanalizimit në fshatin Frashër, pastrimi i kanaleve të ujërave atmosferikë në sheshet e qytetit që kishin mbetur të bllokuara ndër vite, si dhe përmirësimi i ndriçimit publik në rrugët kryesore, në shëtitore dhe në parkun e qytetit. Po ashtu, janë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e pusetave, largimin e drunjve të tharë dhe zëvendësimin e tyre me të rinj përgjatë lumit Ibër.

Peci ka bërë të ditur se ndërhyrje janë realizuar edhe në mirëmbajtjen e shtatoreve të heronjve, përfshirë rregullimin e hapësirave përreth dhe pastrimin e tyre, si dhe në sanimin e ishujve gjelbërues pas instalimit të sistemit të ujitjes. Ai ka shtuar se është punuar në pastrimin e hapësirave publike, mirëmbajtjen e gjelbërimit dhe në evitimin e rrezikut nga rënia e drunjve të vjetër përmes krasitjes.

Sipas tij, pjesë e këtyre aktiviteteve ka qenë edhe zhvendosja e kontejnerëve të mbeturinave në lokacione që nuk pengojnë lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.

“Punët që po realizojmë janë dëshmi e vullnetit për Mitrovicën që synojmë”, ka përfunduar Peci. /Telegrafi/