LAJMI I FUNDIT:

Pas takimeve me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, Lajçak: Ka ende shumë punë për të bërë

Pas takimeve me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, Lajçak: Ka ende shumë punë për të bërë

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se kanë përfunduar takimet me ekipet e negociatore të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku është biseduar për marrëveshjet e arritura deri tani dhe hapat e ardhshëm në dialog.

Gjatë dy ditëve, të martën dhe të mërkurën delegacioni i Kosovës, i prirë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ai serb, i prirë nga shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar takime në Bruksel, me përfaqësues të Bashkimit Evropian.


Emisari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mioroslav Lajçak ka njoftuar se pasur diskutime të gjëra mbi marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sapo përfundova takimet dyditore me kryenegociatorët dhe ekipet e tyre mbi një gamë të gjerë të elementeve të dialogut – marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

“Ne të gjithë ranë dakord se ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do të vazhdojmë”, ka shkruar ai.

Takimi i së mërkurës mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, është i pari, prej takimit që zhvilluan më 15 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Bashkimin Evropian vazhdojnë ta përsërisin qëndrimin se marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të zbatohen, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/