eksperti-banner

Krijuesi i serialit “Euphoria”, Sam Levinson, ka folur për herë të parë pas reagimeve të forta që shoqëruan historinë e personazhit të Sydney Sweeney, Cassie Howard, në sezonin e tretë.

Linja e saj narrative, e lidhur me platformën OnlyFans dhe punën seksuale, nxiti debat të madh mes shikuesve pas transmetimit të episodeve të fundit.


I ftuar në emisionin “Real Time With Bill Maher”, Levinson mbrojti zgjedhjen e tij artistike, duke thënë se OnlyFans është kthyer tashmë në një industri gjigante, me ndikim të krahasueshëm me Hollywood-in, shkruan DailyMail.

Sipas tij, ai dëshironte të shqyrtonte se si të rinjtë tërhiqen nga ideja e fitimeve të shpejta dhe cilat mund të jenë pasojat afatgjata të kësaj rruge.

“Nëse e shikoni OnlyFans, po fiton po aq para sa Hollywood-i. Nuk është një treg i vogël, por një sipërmarrje masive”, tha Levinson.

Ai shtoi se shumë të rinj mund të mendojnë se është më e lehtë të fitojnë para duke shitur imazhin e tyre në internet sesa duke ndjekur një punë tradicionale.

Regjisori pranoi se ai dhe ekipi i serialit janë përballur me shumë kritika për skenat e Sydney Sweeney, por theksoi se “Euphoria” nuk e glorifikon këtë stil jetese, përkundrazi e paraqet atë në mënyrë kritike.

“Kjo e zbraz individin. Ti mbetesh vazhdimisht i varur nga pëlqimet dhe miratimi i të tjerëve”, u shpreh ai.

Levinson shtoi se ndikimi i rrjeteve sociale ka qenë një element i rëndësishëm në ndërtimin e kësaj historie, duke u frymëzuar nga ajo që sheh në jetën reale.

“Nëse vazhdimisht bën fotografi të vetes dhe e shet imazhin tënd në internet, ky është një evolucion natyror i kësaj”, deklaroi ai.

Komentet e tij vijnë pak pasi edhe vetë Sydney Sweeney mbrojti rrugëtimin e Cassie-t. Në një intervistë për Vanity Fair, aktorja tha se personazhi i saj ka nevojë të ndihet i vlerësuar nga të tjerët dhe se e kupton arsyen pse Sam Levinson e çoi në atë drejtim gjatë sezonit të tretë. /Telegrafi/