Pas Degës së Pejës, edhe LDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut


Pas Degës së LDK-së në Pejë, edhe Dega në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar këtë si "standard të përgjegjësisë politike" pas rezultatit në zgjedhjet e fundit.
Në një njoftim të miratuar nga Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, së bashku me kryetarët e nëndegëve, fillimisht është shprehur falënderim për strukturat e partisë, aktivistët dhe qytetarët për angazhimin gjatë procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, megjithëse LDK-ja në Lipjan ka shënuar rritje të lehtë të rezultatit, nga 6,338 vota ose 19.40 për qind në zgjedhjet e dhjetorit 2025 në 6,455 vota ose 23.60 për qind në zgjedhjet e qershorit 2026, dega vlerëson se rezultati "mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të madh të strukturave të degës".
Në reagim thuhet se përgjegjësia për rezultatin nuk mund t'u faturohet vetëm strukturave lokale.
"Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t'u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror; prandaj, përgjegjësia për rezultatin duhet të shihet në mënyrë të balancuar në të gjitha nivelet e organizimit partiak", thuhet në njoftim.
Dega e Lipjanit thekson se rezultati zgjedhor duhet të shërbejë si nxitje për reflektim dhe reformim të partisë.
"Rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet", thuhet më tej.
Pas analizës së rezultatit dhe diskutimeve brenda strukturave të degës, LDK në Lipjan kërkon largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë.
"Në këtë frymë... Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre", thuhet në njoftim.
Në fund, Dega e LDK-së në Lipjan thekson se mbetet një degë e konsoliduar, e cila ka fituar katër palë zgjedhje lokale radhazi, ndërsa vlerëson se "vetëm përmes debatit të hapur, llogaridhënies dhe reformimit të brendshëm, LDK-ja mund të rikthejë besimin dhe ambicien për të qenë forcë udhëheqëse në vend"./Telegrafi/







































