Paraqitja e Vedat Muriqit ndaj Atletico Madridit me statistika – gol, por edhe shumë duele të fituara

Mallorca dhe Atletico Madridi u ndanë baras 1-1 në kuadër të xhiros së pestë të La Ligas, në një ndeshje plot emocione.
Julian Alvarez humbi një penallti në pjesën e parë për mysafirët, të cilët nga minuta e 73-të mbetën me një lojtar më pak. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Atleticon të kalonte në epërsi me golin e Conor Gallagher në minutën e 79-të.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 85-të, Vedat Muriqi u ngjit më lart se të gjithë në zonë dhe me një goditje të fuqishme me kokë mposhti portierin Jan Oblak, duke barazuar rezultatin. Ky ishte goli i tij i katërt në këtë edicion të La Ligas.

Muriqi ka shënuar tashmë kundër Real Madridit dhe dy herë ndaj Espanyolit, ndërsa vetëm Kylian Mbappe ka më shumë gola deri tani në kampionat (pesë).
Sulmuesi i Kosovës luajti plot 90 minuta dhe me të vetmen gjuajtje në kuadrat arriti të gjente golin. Ai u vlerësua me notën 7.4 nga SofaScore, duke regjistruar gjithashtu 10 duele të fituara, 40 prekje topi dhe një pasim kyç.
Pavarësisht paraqitjes së mirë të “Piratit”, Mallorca vazhdon të mos e njohë fitoren këtë sezon – pas pesë ndeshjeve ka grumbulluar vetëm dy pikë dhe renditet në vendin e 19-të në tabelë. /Telegrafi/




















































