LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Eurozonë arrin në 7.6 për qind

Papunësia në Eurozonë arrin në 7.6 për qind

Norma e papunësisë gjatë muajit maj 2019 në Eurozonë arriti në 7.6 për qind nga 8.3 për qind ishte në vitin paraprak. Kjo është norma më e ulët e regjistruar në Eurozonë që nga korriku i 2008-së. Ndërsa, papunësia në vendet e Bashkimit Evropian në muajin maj ishte 6.3 për qind nga 6.9 për qind që ishte vitin paraprak.

Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, 15.65 milionë persona në BE dhe 12.348 milionë persona në Eurozonë ishin të papunë gjatë muajit maj 2019. Krahasuar me muajin prill të 2019-së, numri i personave të papunë është ulur me 71 mijë në vendet evropiane dhe me 103 mijë në Eurozonë. Krahasuar me majin e 2018-së, papunësia ra me 1.27 milionë persona në BE dhe 1.13 milionë persona në Eurozonë.

Midis shteteve anëtare, normat më të ulëta të papunësisë në muajin maj të 2019-së u regjistruan në Çeki me 2.2 për qind, Gjermani me 3.1 për qind dhe Holandë me 3.3 për qind. Normat më të larta të papunësisë janë vërejtur në Greqi me 18.1 për qind në muajin mars të 2019-së, Spanjë me 13.6 për qind dhe Itali me 9.9 për qind. Krahasuar me një vit më parë, norma e papunësisë ra në 23 shtete anëtare, mbeti e qëndrueshme në Austri dhe u rrit në Danimarkë nga 5 për qind në 5.1 për qind, Luksemburgu nga 5.6 për qind në 5.7 për qind, Poloni nga 3.7 për qind në 3.8 për qind dhe Suedia nga 6.2 për qind në 6.3 për qind. Zvogëlimi më i madh u regjistrua në Greqi nga 20.2 për qind në 18.1 për qind midis marsit 2018 dhe marsit 2019, Spanja nga 15.4 për qind në 13.6 për qind dhe Qipro nga 8.3 për qind në 6.5 për qind.

Në muajin maj të 2019-së, 3.22 milionë të rinj ishin të papunë në vendet e BE-së, prej të cilëve 2.3 milionë ishin në Eurozonë. Krahasuar me majin e 2018-së, papunësia e të rinjve ka rënë me 176 mijë në BE dhe me 133 mijë në Eurozonë. /Telegrafi/