Legjenda e muzikës rok, Ozzy Osbourne, i ka shokuar fansat e tij me lajmin se është diagnostikuar me sëmundjen Parkinson, një çrregullim degjenerativ i sistemit nervor.
Këngëtari u detyrua të anulonte disa koncerte gjatë vitit 2019 për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa tash është mësuar sëmundja e tij.
“Ka qenë një sfidë e rëndë për të gjithë ne. Performancën e fundit e pata për Vitin e Ri. Atëherë u rrëzova keq. E operova qafën, mi kanë prerë nervat gjatë ndërhyrjes kirurgjike”, ka treguar Ozzy për Good Morning America.
Bashkëshortja e tij, Sharon, ka thënë se Osbourne është diagnostikuar me tipin 2 të sëmundjes Parkinson.
“Ekzistojnë tipa të ndryshëm të sëmundjes Parkinson, edhe pse nuk janë vdekjeprurëse, ato veprojnë në nerva të caktuar në trupin tuaj. Është sikur të keni një ditë shumë të mirë dhe pastaj një ditë shumë të keqe”, ka deklaruar gruaja e rokerit.
Ozzy është diagnostikuar me sëmundjen Parkinson që nga shkurti i vitit të kaluar. Aktualisht është duke marrë terapi kundër sëmundjes dhe terapi për nervat. /Telegrafi/