LAJMI I FUNDIT:

Orwelli dhe Radiohead

Orwelli dhe Radiohead

Thom Yorke dhe “Radiohead” nuk mendojnë që duhet tallur me Orwellin, apo që janë tejkaluar rreziqet e parashikuara në romanin “1984”. “Radiohead” në album “Hail to the Thief” thërret në mëkëmbjen e dyshimit sepse, në të kundërtën, nuk do të jemi në gjendje të bëjmë dallimin çka është e vërtetë e çka jo. Shkrimi i mëposhtëm është botuar në verën e vitit 2003, në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”.

Nga: Blerim Shala


Rock-u nuk mund ta shpëtojë botën, por bota mund ta shpëtojë rock-un.

Kështu disi mund të nisë shkrimi për albumin “Hail to the thief” të grupit “Radiohead”, i cili të thuash me aklamacion nga rock- kritikët më të njohur vlerësohet si rock-grupi më i rëndësishëm i kohës sonë.

Të shenjtit dhe shpëtimtarët

Natyrisht, iluzionet që rock-u mund të jetë shpëtimtar i botës u tretën shpejt, me “vyshkjen” e “flower-power” lëvizjes të fundviteve të gjashtëdhjeta e cila, para së gjithash, ishte një protestë kundër luftës në Vietnam. Nja njëzet vjet më pas nuk shtrohej më pyetje çfarë mund të bëjë rock-u me botën, por a ka rock-u fare ardhmëri.

Dukej që rock-u i ka shterë të gjitha burimet e mundshme të inspirimit dhe që shansa e vetme për mbijetesë do të jetë koncepcioni i ri: Riciklimi. Ribashkoheshin grupet që kishin bërë be që as në një kafene nuk do të mund të shiheshin së bashku. Shfrytëzoheshin zërat dhe këngët e atyre që qysh moti kishin vdekur (rasti i John Lennonit dhe The Beatles), “zbuloheshin” shiritët (tejpët) e “humbur” (rasti i Jim Morrisonit dhe The Doors)… të gjitha këto në përpjekje që të mbahet gjallë shoubiznesi.

Megjithatë, në rock nisën të paraqiten grupe dhe autorë të rinj, të cilët dëshmonin që droja kishte qenë paksa e tepërt. Tekefundit, nevoja për argëtim është e pafundme tek njerëzit, ndërsa rock-u është njëri prej dimensioneve më të frytshëm të argëtimit dhe më të preferuarit prej rinisë, kudo në botë.

“Radiohead” është njëri prej atyre grupeve që nuk e redukton rock-ut vetëm në argëtim, por njëkohësisht e di që ideja e shpëtimit universal qëmoti është treguar potencial për prodhimin e vuajtjeve dhe dhimbjeve masovike. George Orwelli, të cilit sivjet ia shënojmë 100-vjetorin e lindjes, do të shkruajë që të shenjtit janë gjithmonë fajtorë derisa të mos vërtetohet pafajësia e tyre. Orwell e kishte fjalën për të shenjtit që ofrojnë shpëtim për të gjithë.

Orwelli është i pranishëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në të gjitha këngët e Thom Yorkut dhe grupit “Radiohead” në albumin “Hail to the Thief”. Ky album është incizuar në periudhën e përgatitjes së luftës amerikano-britanike në Irak. Thom Yorke nuk ka fshehur pozicionin e tij ndaj kësaj lufte. Por, “Radiohead” në “Hail to the Thief” nuk preokupohet drejtpërdrejt me luftën, por me dukuritë përcjellëse të këtij fenomeni.

Edhe në albumet e mëparshëm Radiohead është marrë me atë anën paranojake, pesimiste, dëshpëruese të individit të sotëm, me varshmërinë e tij nga TV-ja, nga mesazhet dhe udhëzimet të cilat pandërprerë emitohen në media për të gjitha problemet e mundshme, prej heqjes së kilogramëve shtesë deri te mënjanimi i shqetësimeve të shumta, prandaj ka qenë e pritur që edhe në “Hail to thee Thief”, Yorke me shokë do të adresojë të njëjtat probleme.

Megjithatë, kësaj here Radiohead shkon një hap më tej, pikërisht sipër idesë së “1984-shit” të George Orwellit. Siç e dini, romani është shkruar në vitin 1948 dhe është një nga ato “utopitë negative” (çfarë është edhe “Bota e re trime” e Aldous Huxleyit), të cilat paralajmërojnë mbërthimin e njerëzimit nga sistemet totalitare. “Big Brother” (“Vëllau i madh”), “Ministria e të vërtetës dhe dashurisë”, “Java e urrejtjes”, “Policia e mendimit”, janë vetëm disa nga nocionet të cilat na i la në trashëgimi Orwelli.

“Big Brother” dhe “Reality Show”

“Big Brother” sot është emri i një seriali shumë të popullarizuar në kuadër të “reality show” (“shou i realitetit”), që emitohet në shumë vende të botës. E dini që fjala është për një qëndrim shumëjavësh në një vend të mbyllur dhe të gjithë pjesëmarrësit përcillen 24 orë në ditë nga kamerat e shumta për të zënë “sjelljet e sinqerta” të tyre. Cilido prej tyre që është më interesanti, e për këtë vendos publiku apo “vota e popullit”, ai fiton një shpërblim të madh dhe bëhet yll i TV-së dhe i shoubiznesit. Po të ishte gjallë, Orwell me siguri do të shastisej kur do të kuptonte çfarë ka ndodhur me “Big Brother” të tij.

Natyrisht, Thom Yorke dhe “Radiohead” nuk mendojnë që duhet tallur me Orwellin, apo që janë tejkaluar rreziqet e parashikuara në romanin “1984”. Është e vërtetë që Orwell në këtë roman kishte përshkruar diktaturën komuniste në atë variantin ekstrem, i cili do të ishte konsekuencë e natyrshme e zhvillimit të saj. Por, Yorke dhe “Raiohead” mendojnë që edhe sot e kësaj dite individi mund të manipulohet e të mashtrohet në njëqind mënyra, para së gjithash, sepse ai është i prirë të besojë në të gjitha ato që i servohen në TV, në media, në jetën publike. “Radiohead” në këtë album thërret në mëkëmbjen e dyshimit sepse, në të kundërtën, nuk do të jemi në gjendje të bëjmë dallimin çka është e vërtetë e çka jo.

Në aspektin muzikor, “Hail to the Thief” është album më i mirë se sa dy paraardhësit e tij “Kid A” dhe “Amnesiac”. Kjo edhe nuk është farë befasie e madhe. Në “Kid A” dhe “Amnesiac”, Radiohead me qëllim kishte bërë eksperimente, nga droja e madhe që do të detyrohet të përsërisin “OK Computer”, albumin i cili tok me “Nevermind” të Nirvana shënoi të nëntëdhjetat. “Hail to the Thief” nuk mund të kuptohet dhe as të absorbohet vetëm me një dëgjim. Në të vërtetë, dëgjimet e njëpasnjëshme mundësojnë që të hyhet më thellë në domethënien e tij, në brendinë e tij, e cila nuk jepet me të parën.

“Radiohead”, me albumin e tij të gjashtë, vërteton që është sot grupi më i rëndësishëm i rock-ut.