LAJMI I FUNDIT:

Organizohet BarCamp Prishtina #27

Organizohet BarCamp Prishtina #27

Edicioni i 27-të me radhë i BarCamp Prishtina po vjen! Ky edicion i sponsorizuar si rëndom nga IPKO Foundation do të mbahet të mërkurën, më 17 dhjetor 2014 në ora 17:30 në teatrin Oda.

Gjate viteve që lamë pas, BarCamp Prishtina ka arritur të sjellë pranë jush folës eminent me tema inovative dhe ka krijuar një komunitet që nxitë vlera të mira dhe ide kreative me
qytetarëve të Prishtinës.

Fokusi kryesor i këtij BarCamp-i është Arkitektura, qëllimi kryesor i së cilës është ofrimi i të dhënave esenciale drejt audiencës e lindja e diskutimeve se si arkitektura është e përhapur në Kosovë përmes pikëpamjeve të ndryshme.


Duke filluar nga Zana Hoxha, Dukagjin Hasimja e deri te Ajhan Bajmaku, folësit do të na shpalosin aktivitetet e tyre të fundit dhe përvojat në projekte arkitektonike, si dhe fenomene të ndryshme të arkitekturës kosovare.

Zana Hoxha – u lind në Prishtinë në vitin 1989. Pas përfundimit të shkollës së mesme fiton bursën e shtetit grek për studime në Universitetin e Aristotelit në Selanik, dega arkeologji. Gjatë qëndrimit të saj në Greqi, ajo në vitin e parë mëson gjuhen greke për të vazhduar më pas studimet për arkeologjji dhe histori të artit. Gjatë studimeve merr pjesë në gërmime në Greqi, Shqipëri dhe Kosovë. Në vitin 2013 kthehet në Kosovë dhe i bashkohet ekipit të organizatës Cultural Heritage without Borders si bashkëpunëtore profesionale/arkeologe. Zana gjithashtu është përfaqësuese e Kosovës në bordin drejtues të Rrjetit të Muzeve të Ballkanit. Zana do të ndajë eksperiencën e saj në Cultural Heritage without Borders lidhur me revitalizimin e ndërtesave historike në Kosovë.

Dukagjin Hasimja – arkitekt me profesion me një prapavijë të bujshme në arsimin akademik. Që nga viti 1998, ai jep mësim në lëndët e planifikimit hapësinor e urban dhe projektimit në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, dhe që nga viti 2010 në Universitetin AAB, Fakulteti i Arkitekturës, Prishtinë. Ai ka qenë i angazhuar në projektimin urban dhe arkitektonik që nga 1986 dhe u nderua në disa konkurse arkitektonike dhe të planifikimit urban. Që nga viti 2002, ai menaxhon studion e arkitekturës "Urban +" në partneritet me arkitektë të tjerë dhe që nga 2010 studion e arkitekturës "Urban 3 A" në Prishtinë. Dukagjini do të na flasë rreth punës së tij që nga viti 1987 deri në ditët e sotme. Duke shfaqur ca fotografi personale gjatë kohës së studimeve, ai do të na tregojë rreth rrugëtimit të tij drejt suksesit përmes projekteve fituese në gara të ndryshme. Poashtu, Dukagjini do t’i shpalosë disa plane rregullative komunale e urbane në të cilat ka qenë i përfshirë.

Ajhan Bajmaku – i ka mbaruar studimet në Stamboll, përkatësisht në universitetin Mimar Sinan në drejtimin e Dizajnit Industrial dhe ka doktoruar në departamentin e Enterierit. Ai është poashtu ligjërues në Fakultetin e Arkitekturës në UP dhe UBT në lëndët e Kreativitetit, Enterierit dhe Estetikës së Hapësirës duke u bazuar në ndërtimin konceptual dhe mendimin kritik. Poashtu, Ajhani vepron në një studio të dizajnit të quajtur "ArchiThink" kryesisht me projekte të enterierit të realizuara në Kosovë, Zvicer, e Turqi.
Të mërkuren, Ajhani do të flasë rreth Kitsch-izmit dhe tallavarkitekturës në Kosovë ku poashtu do shohim edhe disa projekte të realizura nga studioja e tij.

Pasi që BarCampet iu ofrojnë njerëzve një vend ku ata mund të ndajnë ide dhe tregime interesante personale, ky BarCamp do i sigurojë pjesëmarrësit per biseda e ide të frytshme.

Nëse dëshironi të jeni pjesë e një përvoje të këndshme, ejani të mërkurën në teatrin Oda nga ora 17:30.