eksperti-banner

Robin Hudi nisi si një traditë gojore në shekullin XII, përpara se të shndërrohej në një stereotip heroik dhe familjar - ja si interpretimet e reja po ia rikthejnë anën e errët.

Nga: Caryn James / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


Kur skenaristi dhe regjisori Michael Sarnoski nisi xhirimet e filmit të tij të ri, ai i tregoi kastit dhe ekipit një film të cilin e ka dashur gjithmonë: filmin e animuar Robin Hudi të Disney-t, të vitit 1973, ku heroi është dhelpër me pendël në kapelën e gjelbër, që vjedh të pasurit për t’ua dhënë atë të varfërve.

Ai version i dashur është shumë më ndryshe nga The Death of Robin Hood [Vdekja e Robin Hudit], drama e errët dhe meditative e Sarnoskit. Në rolin kryesor luan Hugh Jackman, si një Robin flokëthinjur, i lodhur nga betejat, i zhytur në reflektime - në fund të jetës së tij - dhe thellësisht i vetëdijshëm për legjendën që e rrethon.

Kur ndeshet me një grua që flet për Robin Hudin e virtytshëm dhe kërkues të drejtësisë, ai mohon identitetin e vet dhe flet për veten në vetën e tretë. “Ai nuk ishte hero. Vidhte dhe vriste për kënaqësinë që i jepte kjo, asgjë më shumë.”

Rezulton se ky Robin Hudi i dhunshëm, si edhe interpretimet e tjera revizioniste që kundërshtojnë figurën e tij si hero bamirës dhe njeri që bën gjithmonë mirë, janë më afër legjendave origjinale mesjetare sesa stereotipi familjar që shumica prej nesh lidh sot me të.

Portretizimi i Robin Hudit ka ndryshuar gjatë shekujve dhe secili transformim ka pasqyruar epokën që e ka riinterpretuar atë. Këto variante më të errëta të shekullit XXI kthehen te burimet e hershme të rrëfimit, por, siç vërejnë disa prej krijuesve të tyre, ato flasin edhe për të tashmen. Këto paraqitje më komplekse të personazhit sfidojnë një botë të polarizuar, ku heronjtë dhe keqbërësit paraqiten shpesh si krejtësisht të mirë ose krejtësisht të këqij - po aq të thjeshtuar sa u bë, me kalimin e shekujve, edhe vetë legjenda e Robin Hudit.

Kush ishte Robin Hudi?

Megjithëse ka pasur shumë spekulime për ekzistencën e një Robin Hudi real, historianët bien kryesisht dakord se pas personazhit nuk qëndronte një individ i vetëm historik. Në vend të kësaj, ai lindi nga një shoqëri jashtëzakonisht e pabarabartë - e përbërë nga pronarë të pasur tokash dhe fshatarë të varfër - që frymëzoi krijimin e figurës së tij. Historitë për Robin Hudin nisën si traditë gojore në shekullin XII, por dëshmitë e para të shkruara u shfaqën vetëm dy shekuj më vonë, në balada ku ai paraqitej tashmë si një figurë e njohur dhe e admiruar.

Në këto rrëfime të para të shkruara, ai nuk ishte fisniku Sër Robini i Lokslit, siç e paraqitën versionet e mëvonshme. Në fakt, nuk ishte fare fisnik, por një pronar i lirë toke, me status mbi fshatarin e zakonshëm. Në histori nuk ishte as Mariana - jo deri në shekullin XVI. Dhe, ndonëse sillej mirë me të varfrit, ndihma ndaj tyre nuk ishte qëllimi i tij kryesor. Armiqtë e tij ishin kleri i korruptuar dhe fisnikët pronarë të tokave që abuzonin me vartësit e tyre.

Në një pasthënie të romanit të saj revizionist The Traitor of Sherwood Forest [Tradhtari i Pyllit Shervud, 2025], historiania e Mesjetës, Amy S. Kaufman, e përshkruan Robin Hudin e legjendave të hershme si “një mashtrues mesjetar moralisht të paqartë” dhe si “një vagabond të dhunshëm e moskokëçarës.” Disney kishte të drejtë për një gjë: baladat e para sugjerojnë se Robini ishte po aq dinak sa një dhelpër.

Një ndryshim i madh në histori ndodhi në shekullin XVI. Mbreti Henri VIII ishte admirues i Robin Hudit dhe ndonjëherë vishej si ai. Gjatë sundimit të monarkut që u shkëput nga Kisha Katolike, përkushtimi i Robin Hudit ndaj Virgjëreshës Mari u zhduk nga legjenda.

Ndërsa shtresat e larta të shoqërisë e përvetësuan figurën e tij, në kronikat me ndikim të kohës personazhi nuk e urrente më fisnikërinë, por u bë vetë fisnik. I paraqitur si një aristokrat moralisht i ndershëm që lufton kundër fisnikëve të degjeneruar si ai, ai pushoi së vëni në pikëpyetje strukturën e pushtetit në shoqëri. Ai u vu në shërbim të rikthimit në fron të Mbretit të mirë Rikard, të cilit ia kishte uzurpuar fronin vëllai i tij i lig, Princi Gjon - një motiv që vazhdon edhe te versioni i Disney-t, ku Gjoni paraqitet si një luan lakmitar dhe i etur për pushtet.

Gjatë shekullit XIX, librat për fëmijë ndihmuan që Robin Hudi të shndërrohej edhe më shumë në një bamirës - të zbutur e të pastruar nga çdo skaj i pakëndshëm - të pranueshëm për moralin viktorian. Në shekullin XX, kinemaja e përjetësoi këtë portretizim, me idhullin e ekranit Errol Flynn në rolin e Sir Robinit aventurier e shpatar në filmin e njohur The Adventures of Robin Hood [Aventurat e Robin Hudit] të vitit 1938. Disney, ndoshta në versionin më ndikues nga të gjithë, e nguliti përfundimisht këtë imazh në vetë kulturën popullore.

“Dy versione të të njëjtit personazh”

Sarnoski i tha BBC-së se kontrasti midis filmit të Disney-t dhe legjendave origjinale e ka magjepsur që nga fëmijëria, kur ai lexoi një version për fëmijë të baladës mesjetare The Death of Robin Hood [Vdekja e Robin Hudit]. Aty, Robini vdes i qetë, i vrarë nga një magjistare e ligë dhe i dashuri i saj. “Duke njohur Robin Hudin e Disney-t dhe pastaj duke lexuar The Death of Robin Hood, ato dy versione të personazhit - përpjekja për t’u përballur me këtë kontrast dhe për të kuptuar se si mund të jenë i njëjti personazh - më mbetën thellë në mendje qëkur isha fëmijë,” thotë ai.

Në filmin e Sarnoskit, Robini plagoset gjatë një beteje të përgjakshme - një shigjetë përshkon pjesën e pasme të kokës së një djali dhe del përmes syrit të tij - dhe më pas dërgohet në një manastir për t’u shëruar. Jodie Comer luan rolin e murgeshës e cila, ndryshe nga paraqitja e saj në baladë, është dashamirëse.

“Nuk doja që ajo të ishte thjesht një murgeshë e keqe stereotipike dhe nuk doja që Robini të ishte thjesht një hero i mirë stereotipik,” thotë Sarnoski, duke shpjeguar dëshirën e tij për të krijuar personazhe më të ndërlikuara dhe më të nuancuara. Dhe, ndërsa Robini reflekton mbi të kaluarën e vet dhe fillon të pendohet për të, “filmi bëhet në të vërtetë një histori për ballafaqimin e tij me legjendën e vet dhe me dëshirën e tij për atë që ai e sheh si një vdekje të denjë,” thotë ai.

Tema e rreme e legjendave është gjithashtu një motiv qendror në romanin e Kaufmanit, dhe Disney ndikoi edhe në përshtypjet e saj të hershme. Ajo i tha BBC-së: “U rrita me Robin Hudin dhelpër dhe më pas u mora me studime mesjetare, zbulova baladat dhe mendova: ‘Ku është Robin Hudi që njoh dhe dua?’”

The Traitor of Sherwood Forest përqendrohet te Xhejna, një fshatare e trilluar që bie nën magjinë e legjendës së Robin Hudit. Ajo mahnitet pas tij dhe bëhet pjesë e bandës së tij të jashtëligjshme, por gradualisht fillon të dyshojë nëse imazhi i tij heroik dhe vetë Robin Hudi joshës e çuan në rrugë të gabuar. Robin Hudi i Kaufmanit, as hero e as keqbërës, është besnik ndaj origjinës së personazhit. Në balada, thotë ajo, “ai është jashtëzakonisht armiqësor kur sheh mënyrën se si u kundërvihet njerëzve në pushtet, si mbretërve, fisnikërisë dhe Kishës. Por, po ashtu, në secilën prej baladave ai ose ka një fund tragjik, ose bëhet viktimë e dobësive të veta.”

Gjatë shekullit të fundit, këto këndvështrime më komplekse për Robin Hudin kanë qenë të rralla. Në ekran, rolin e tij e kanë luajtur aktorë - nga Douglas Fairbanks te Kevin Costner dhe Russell Crowe, dhe pothuajse të gjithë i janë përmbajtur figurës stereotipike. Një përjashtim i rëndësishëm është Robin and Marian [Robini dhe Mariana, 1976], një film i zgjuar dhe elegant që meriton të njihet shumë më tepër. Sean Connery luan Robinin e plakur, i cili ribashkohet pas dekadash me Marianën (Audrey Hepburn), tashmë murgeshë. Ky Robin mohon se historitë legjendare janë të vërteta dhe shfaqet i zhytur në mendime në fund të jetës së tij. “Vazhdoj të mendoj për gjithë vdekjet që kam parë,” i thotë ai Marianës dhe pyet veten se për çfarë u bënë.

Këto pyetje - mbi pushtetin, heronjtë dhe mënyrën se si tregohen historitë e tyre - janë pikërisht arsyeja pse interpretimet revizioniste duken kaq bashkëkohore. “Bota po e përqendron pushtetin në mënyra të ngjashme me ato të Mesjetës,” thotë Kaufmani. “Disa nga gjërat për të cilat duhej të mendonin ata janë gjëra për të cilat do të duhej të mendojmë edhe ne.”

Sarnoski vëren se si personazhet e tij i përdorin rrëfimet si formë pushteti. “Robin Hudi i përdorte historitë si armë dhe si mënyrë për të përjetësuar dhunën,” thotë ai, duke iu referuar mënyrës se si i tërhiqte pasuesit. Ndërkohë, “murgesha i përdor historitë si mënyrë për të ndihmuar dhe shëruar njerëzit.”

Këto strategji gjenden kudo sot. “Jemi aq të zhytur në rrëfime, mes rrjeteve sociale, internetit dhe gjithçkaje që sillet rreth nesh,” thotë Sarnoski. “Jemi shumë të shpejtë për t’u ndarë në kampe e tribalizma, për të krijuar heronj dhe zuzarë, dhe për të mos jetuar në atë zonë gri ku ekziston realisht jeta.”

Sado gjallëruese dhe sfiduese të jenë këto versione të reja, më të errëta të Robin Hudit, ato nuk ka gjasa ta zëvendësojnë imazhin e diznizuar të tij. “Jo të gjithë duan që fantazia e tyre për Robin Hudin të tronditet,” thotë Kaufmani. “Ai është bërë si Babadimri, në kuptimin se përfaqëson diçka më të madhe sesa ajo që ka qenë në të vërtetë legjenda.” /Telegrafi/