LAJMI I FUNDIT:

ORCA porosit Haradinajn: Kryeministër, larg duart nga akreditimi i universiteteve

ORCA porosit Haradinajn: Kryeministër, larg duart nga akreditimi i universiteteve

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të informimit të Kryeministrit Haradinaj dhe zyrës së tij lidhur me çështjen e mos akreditimit institucional të universiteteve publike të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

Kjo organizatë përmes një kumtese ka reaguar, pas deklarimit të kryeministrit Haradinaj se “është i pa pranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren”.


Në reagimin e ORCA thuhet se mos akreditimi institucional do të thotë pamundësim i regjistrimit të studentëve vetëm për këtë vit, ndërkohë që këto institucione do të vazhdojnë të punojnë normalisht madje duke u përgatitur për aplikim për akreditim sërish vitin e ardhshëm.

ORCA: Nuk do të mbyllen universitetet e Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës
Lexo po ashtu ORCA: Nuk do të mbyllen universitetet e Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës

“Si Kryeministër i vendit zt. Haradinaj në vitin 2018 ia ka dhuruar Kosovës përjashtimin nga EQAR dhe degradimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimin në Asociancionin Europian ENQA, nga “anëtar” në “anëtar nën vëzhgim”. Kjo ka ndodhur si pasojë e shkarkimit të bordit të kaluar të Agjencisë. Si rrjedhojë, Agjencia e Kosovës për Akreditim në shtator të këtij vitit do ta marrë vendimin përfundimtar për vazhdim apo jo të anëtarësisë në ENQA. Ndërhyrja e sotme nga Kryeministri, e dyta me radhë, qoftë edhe si deklaratë, tashmë e rrezikon Agjencinë për përjashtim nga Asociacioni Europian ENQA”, thotë ORCA, përcjell Telegrafi.

Më tej thuhet se “veprimet a paralajmëruara të Kryeministrit çfarëdo qofshin ato do të jenë të paligjshme dhe në shpërputhje me 1. Me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe 2. Ligjin për Agjencitë e Pavarura. ORCA rikujton se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës dhe se çfarëdo vendimi nga ana e Kryeministrit Haradinaj do të kallëzohet penalisht nga ORCA si keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“ORCA u bën thirrje organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë të reagojnë për ruajtjen e pavarësisë së agjencive të pavarura, ndërkohë u bën thirrje partive politike në pushtet të përmbahen nga populizmi”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) që t’u tërhiqet akreditimi institucional tri universiteteve publike për vitin akademik 2019/2020.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është i pa pranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren, raporton Telegrafi.

“Si kryeministër i vendit, e konsideroj të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve, duke ua humbur atyre vitin. Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate”, ka thënë  Haradinaj.

ORCA: Nuk do të mbyllen universitetet e Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës
Lexo po ashtu ORCA: Nuk do të mbyllen universitetet e Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës

Ndërsa, pas lajmit të publikuar në media se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka vendosur që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020, Universitetit Publik të Mitrovicës, Universitetit të Pejës dhe Universiteti të Prizrenit, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka dalë me një sqarim për opinion.

Kjo organizatë ka sqaruar se Universitetet e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës nuk do të mbyllen, mirëpo atyre nuk u lejohet regjistrimi i studentëve për këtë vit akademik, ndërkohë që ato mund të aplikojnë sërish vitin e ardhshëm. /Telegrafi/