Një ish-oficer burgu në Milton Keynes të Anglisë ka shpikur një gardh të pazakontë për të ndaluar shoferët që parkojnë mbi barin pranë pronës së tij.

Kevin Pringle, 64 vjeç, krijoi një gardh me thumba të fshehur që aktivizohen vetëm kur një automjet kalon mbi to, duke shpuar gomat në mënyrë të ngjashme me pajisjet policore “stinger”.


Ai thotë se e zhvilloi sistemin pas dëmtimeve të vazhdueshme në pjesën e gjelbër pranë shtëpisë së tij.

Sipas shpikësit, gardhi është projektuar që të mos paraqesë rrezik për këmbësorët apo fëmijët me biçikleta, pasi thumbat mbeten të mbuluara derisa të ushtrohet peshë e madhe.

Pringle beson se “Gardhi i Mençur” mund të përdoret edhe nga komunat, shkollat apo hotelet për të parandaluar hyrjet dhe parkimet e paautorizuara.

Ndërkohë, autoritetet lokale kanë kujtuar se vendosja e objekteve në hapësira publike kërkon autorizim ligjor. /Telegrafi/