Një grua në Kentucky të SHBA-së është zgjuar me një surprizë të pazakontë, pasi ka zbuluar se një ari kishte hyrë gjatë natës në shtëpinë e saj dhe kishte konsumuar pulën e mbetur nga KFC.

Kendra North, banore e Harlan County, tregoi se ajo dhe partneri i saj kishin lënë derën e përparme të shtëpisë hapur të mërkurën në mbrëmje, në mënyrë që të qarkullonte ajri. Çifti më pas shkoi të flinte dhe harroi ta mbyllte derën.


Në orët e mëngjesit, North u zgjua pas një telefonate nga motra e saj, e cila kishte parë një ari pranë shtëpisë së saj, transmeton Telegrafi.

Kur kontrolloi shtëpinë, North kuptoi se kafsha kishte hyrë brenda përmes derës së hapur dhe kishte gjetur pikërisht atë që kërkonte: ushqim.

Ariu kishte shkuar drejt mbetjeve të pulës së skuqur të KFC-së, të cilat i kishte konsumuar. Por vizita e papritur nuk përfundoi pa dëme materiale. Gjatë “festës” së tij, ariu kishte shkatërruar edhe një tavolinë prej xhami në shtëpi.

North tha se situata ishte padyshim e pazakontë, por humbja e ushqimit duket se ishte ajo që e kishte mërzitur më shumë.

“Jam pak e trishtuar për KFC-në time”, tha ajo për televizionin WDKY-TV.

Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe humor në rrjetet sociale, por autoritetet paralajmërojnë se takimet me arinj të egër mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Banorëve në zonat ku ka prani të arinjve u rekomandohet të mos lënë ushqime pranë dyerve apo dritareve dhe të sigurohen që hyrjet e shtëpive të jenë të mbyllura.

Në këtë rast, një derë e lënë hapur për ajrosje mjaftoi që një vizitor shumë i pazakontë të hynte brenda dhe të gjente darkën e tij të gatshme. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com