Më 30 prill 1993, një ngjarje tronditëse ndryshoi përgjithmonë historinë e tenisit dhe solli masa shumë më të rrepta sigurie në turnetë e këtij sporti.

Në Hamburg, gjatë një ndeshjeje çerekfinale, u sulmua me thikë tenistja më e mirë në botë në atë kohë, 19-vjeçarja Monica Seles.


Seles po përballej me Magdalena Maleeva dhe po udhëhiqte 6:4, 4:3, kur gjatë pushimit mes gemit të shtatë dhe të tetë të setit të dytë, një burrë hyri në fushë dhe e goditi me një thikë të madhe kuzhine në shpinë.

Spektatorët reaguan menjëherë, e neutralizuan sulmuesin dhe ai u arrestua në vend.

Seles u dërgua me urgjencë në spital, ku u konstatua se kishte marrë një plagë therëse rreth 1.5 centimetra të thellë, duke dëmtuar muskujt dhe indet pranë shpatullës së majtë.

Autori i sulmit ishte 38-vjeçari Gunter Parche, një adhurues i fiksuar pas rivales më të madhe të Seles, Steffi Graf.

Edhe pse nuk arriti ta vriste Seles, veprimi i tij pati ndikim të madh në karrierat e të dyja lojtareve.

Pas këtij incidenti, Graf vazhdoi dominimin e saj duke fituar edhe 11 tituj të tjerë Grand Slam dhe duke e mbyllur karrierën me 22 të tillë, ndërsa Seles arriti të fitojë vetëm një tjetër titull madhor, në Australian Open 1996, duke e përfunduar karrierën me gjithsej nëntë Grand Slam.

Monika Seles konsiderohej një fenomen i jashtëzakonshëm në tenis. Ajo debutoi në turnetë e WTA Tour në moshën 15-vjeçare dhe brenda katër muajsh fitoi titullin e saj të parë në Houston.

Vetëm një muaj më vonë, ajo arriti në gjysmëfinale të French Open, ku u mposht nga Graf.

Në vitin 1990, në moshën 16-vjeçare, Seles u hakmor ndaj saj duke fituar finalen e Roland Garros dhe duke siguruar titullin e saj të parë Grand Slam.

Ajo u ngjit në vendin e parë të renditjes botërore në mars 1991, duke e rrëzuar Graf nga froni, dhe qëndroi në krye deri në ditën fatkeqe të 30 prillit 1993.

Dominimi i saj ishte i jashtëzakonshëm dhe shumëkush besonte se ajo mund të arrinte edhe 30 tituj Grand Slam.

Megjithatë, sulmi në Hamburg dhe mungesa e masave adekuate të sigurisë e ndërprenë këtë rrugëtim historik.

Sulmuesi Parche qëndroi vetëm gjashtë muaj në paraburgim dhe, pasi u shpall me probleme mendore, u dënua me dy vite burg me kusht, një vendim që u kritikua gjerësisht në opinionin publik. /Telegrafi/

telegrafi sport app