Nga familja fisnike në Kampionatin Botëror: Kush është Gustaf Lagerbielke, baroni që po shkëlqen me Suedinë?


Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo konsiderohen prej kohësh si “mbretërit” e futbollit botëror, por nëse flasim për aristokraci të vërtetë në Kupën e Botës 2026, atëherë vëmendja shkon te mbrojtësi suedez Gustaf Lagerbielke.
Futbollisti 26-vjeçar ishte një nga protagonistët në fitoren bindëse 5-1 të Suedisë ndaj Tunizisë, duke luajtur gjatë gjithë ndeshjes dhe duke tërhequr vëmendje jo vetëm për paraqitjen në fushë, por edhe për prejardhjen e tij të veçantë.

Dëshira e tij të bëhej futbollist
Lagerbielke vjen nga një prej familjeve fisnike më të njohura në Suedi dhe mban titullin e baronit. Babai i tij, Johan Lagerbjelke, është kont, ndërsa familja e tij ka një histori të gjatë aristokratike në vendin nordik.
“Është diçka e rrallë”, ka thënë ai në një intervistë, duke komentuar statusin e tij të pazakontë në botën e futbollit profesionist.
I rritur në Djursholm, një nga zonat më të pasura pranë Stokholmit, Lagerbielke kujton se që në fëmijëri kishte një ëndërr të qartë.
“Kur isha fëmijë, doja të bëhesha futbollist profesionist. Familja më ka mësuar të kem objektiva dhe të punoj për t’i arritur ato. Ata janë shumë të lumtur dhe krenarë për mua”, është shprehur mbrojtësi suedez.

Prejardhja e familjes dhe "trashëgimia" e fronit
Prejardhja e tij aristokratike ka qenë shpesh temë diskutimi gjatë karrierës së tij.
Ai ka luajtur për disa klube në Suedi, përfshirë AIK, Sollentuna, Västerås, Elfsborg dhe Degerfors, ndërsa më pas vazhdoi karrierën te Celticu në Skoci. Aktualisht është pjesë e klubit portugez Braga.
Mediat britanike kanë raportuar se Lagerbielke ndodhet në mesin e personave që teorikisht mund të trashëgojnë fronin suedez, duke e renditur atë në vendin e 254-t në linjën e trashëgimisë. Megjithatë, vetë futbollisti e ka marrë me humor këtë pretendim, pasi e di që kjo do të ndodh dhe nuk mund të ndodh sipas ligjeve suedeze.
“Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Që kjo të ndodhë, shumë njerëz duhet të largohen nga radha dhe sigurisht që nuk dua që kjo të ndodhë”, tha ai me buzëqeshje.

Për momentin, Lagerbielke nuk mendon për tituj aristokratikë apo për fronin suedez. Objektivi i tij është vetëm futbolli dhe suksesi me kombëtaren në Kupën e Botës 2026.
“Të jesh pjesë e një prej fitoreve më të mëdha të Suedisë në historinë e Kupës së Botës është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, përfundoi mbrojtësi suedez. /Telegrafi/







































