Gianni Infantino ‘kërcënon’ kombëtaret: Pranoni planin tim ose humbni milionat

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka dërguar një paralajmërim të qartë federatave anëtare, duke u bërë të ditur se mund të përballen me pasoja financiare nëse nuk mbështesin planin e tij për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës.
Në një nga zhvillimet më të debatueshme të kohëve të fundit, Infantino po avancon planin për shitjen e aksioneve minoritare në operacionet komerciale dhe të eventeve të FIFA-s, përfshirë edhe Kupën e Botës.
Në një njoftim zyrtar, FIFA konfirmoi se do të ftojë palë të treta të bëjnë investime minoritare, pa të drejtë kontrolli, në një kompani të re të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), e krijuar për të menaxhuar të drejtat komerciale të të gjitha turneve të ardhshëm.
Që nga publikimi i këtij plani, Infantino dhe FIFA janë përballur me kritika të ashpra. UEFA publikoi një deklaratë të fortë, duke akuzuar organin më të lartë të futbollit botëror se ka "kaluar vijën" dhe duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve të futbollit që ta marrin këtë çështje shumë seriozisht.

Tashmë, presidenti i FIFA-s ka shtuar presionin edhe më shumë, duke u premtuar 211 federatave anëtare, përfshirë Federatën Angleze të Futbollit, deri në 34.7 milionë euro secilës nëse miratojnë propozimin para afatit të ri të caktuar.
Infantino u ka bërë të ditur federatave se kanë vetëm 53 ditë kohë për t'iu bashkuar planit të tij për shitjen e të drejtave të Kupës së Botës. Në të kundërt, ato do të marrin një paketë më të vogël financimi në të ardhmen.
Nëse propozimi refuzohet, paketa e financimit për federatat anëtare do të bjerë nga 10 miliardë dollarë në 2.7 miliardë dollarë.
"Është detyra dhe përgjegjësia ime si president i FIFA-s t'ju paraqes mundësi të tilla që ndryshojnë lojën", shkroi Infantino në letrën drejtuar të gjitha federatave anëtare.
"Nëse vendosni të vazhdoni, kjo paketë prej 10 miliardë dollarësh do të jetë në dispozicion nga 1 janari 2027, duke shënuar fazën e ardhshme të rrugëtimit tonë të përbashkët”.
“Nëse dëshironi të ruani status quo-në dhe ta refuzoni këtë propozim, do të mbetet zgjerimi i planifikuar i programit Forward me 2.7 miliardë dollarë, siç ishte paraqitur më parë”.
“Në total, për ciklin e ardhshëm që nis më 1 janar 2027, secila federatë anëtare do të ketë mundësi të përfitojë deri në 40 milionë dollarë sipas këtij propozimi”, përfundoi ai./Telegrafi/













































