Kirurgjia maksillofaciale është një nga degët më të ndjeshme dhe më komplekse të mjekësisë moderne, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionin, estetikën dhe cilësinë e jetës së pacientit.

Në episodin e 74-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, specialisti i kirurgjisë maksillo-faciale, doktor Shkëlzen Komoni, foli për problemet më të shpeshta të fytyrës dhe nofullës, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndikimin e estetikës në vetëbesimin e njeriut.


Sipas doktor Komonit, kirurgjia maksillofaciale merret me trajtimin e traumave, tumoreve, anomalive të lindura, infeksioneve dhe deformimeve të fytyrës dhe nofullës.

“Kirurgjia maksillofaciale është degë e kirurgjisë, e cila merret me diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive, sëmundjeve, anomalive të lindura të fituara, infeksioneve, lëndimeve apo traumave të fytyrës dhe nofullave”, deklaroi ai.

Ai theksoi se kjo fushë kërkon precizitet maksimal, pasi fytyra përmban shumë nerva dhe enë gjaku.

“Çdo milimetër në kirurgjinë maksillofaciale është kujdes”, tha Komoni, duke shtuar se dëmtimi i një nervi mund të shkaktojë humbje të mimikës apo paralizë të pjesshme të fytyrës.



Një nga temat që mori vëmendje ishte rreziku nga neglizhimi i dhëmbëve të pjekurisë. Doktori tregoi se infeksionet e patrajtuara mund të kenë pasoja fatale.

“Kemi pasur raste që edhe e kanë humb jetën prej një dhëmbi gjysmë të dalur, për shkak se infeksioni është neglizhuar”, tha ai.

Komoni foli edhe për problemet e nofullës që lidhen me frymëmarrjen dhe gjumin, duke shpjeguar se zhvillimi jo i duhur i nofullës mund të ndikojë në gërhitje dhe apnea obstruktive gjatë gjumit.

“Ka raste kur pacienti ngritet prej gjumit dhe nuk e di çka u bo, po ai ka mbetë pa frymëmarrje për disa sekonda”, shpjegoi ai.

Sipas tij, diagnostikimi i hershëm mbetet faktori kryesor për suksesin e trajtimit, sidomos te tumoret e lëkurës dhe ndryshimet në fytyrë.

“Edhe një ndryshim në lëkurë, i cili zgjat më shumë se dy javë, duhet të orientohet te profesionisti dhe duhet të fillohet trajtimi sa më herët”, apeloi doktori.

Ai tregoi edhe një rast ekstrem të një pacienti që kishte neglizhuar një tumor në hundë për vite me radhë, deri në momentin kur u detyruan të largonin komplet hundën dhe ta rindërtonin atë me lëkurë të marrë nga balli.

Në pjesën e estetikës, Komoni theksoi se ndërhyrjet duhet të ruajnë natyralitetin dhe individualitetin e fytyrës.

“Suksesi arrihet kur e shohim një person dhe themi: po duket diçka mirë, por s’po di çka është bo”, u shpreh ai.

Ai kritikoi edhe ekzagjerimin me fillerë dhe ndryshimet drastike estetike.

“Fytyra duhet me e ruajt individualitetin dhe natyralitetin”, tha doktori, duke shtuar se trendet moderne shpesh po krijojnë fytyra artificiale dhe jo harmonike. /Telegrafi/