Vedat Muriqi e nisi nga minuta e parë për herë të parë pas rikthimit te Fenerbahce dhe, pavarësisht barazimit 1-1 ndaj Lyonit në Stamboll, sulmuesi kosovar u shfaq optimist për të ardhmen.

Muriqi luajti 82 minuta në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it të Ligës së Kampionëve, ndërsa pas takimit foli për paraqitjen e tij, mbështetjen e tifozëve dhe objektivat që ka me klubin turk.


Sulmuesi 32-vjeçar e vlerësoi veçanërisht atmosferën në Kadikoy, duke theksuar se tifozët e Fenerbahces janë gjithmonë pranë ekipit, pavarësisht rezultateve.

“I çmoj të gjithë për përpjekjet dhe përkrahjen. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mirë. 1-1 është gjithnjë rezultat më i mirë se humbja. Do të donim të kishim rezultat më të mirë për të pasur avantazh për ndeshjen e kthimit, por nuk ndodhi".

Muriqi tashmë e ka mendjen te ndeshja e kthimit, e cila zhvillohet më 26 gusht në Lyon. Ai ka një dëshirë të qartë, që Fenerbahce të sigurojë kualifikimin dhe himni i Ligës së Kampionëve të dëgjohet në Kadikoy.

“I presim tifozët tanë edhe në Francë. Duam ta dëgjojmë himnin e Ligës së Kampionëve, të cilin po e presim për shumë vjet, këtu në Kadikoy, duke fituar në Francë”.

Për Muriqin, paraqitja ndaj Lyonit ishte edhe një dëshmi e rikthimit të tij të shpejtë pas një lëndimi të hamstringut që e kishte pësuar në ditët e para të fazës përgatitore.

“Pasi ndodhi në fazë kritike, procesi i rikuperimit duhej të ishte më i gjatë, por mendoj se jam kthyer shumë më herët se që është pritur. Falë fizioterapeutëve, masazherëve, mjekëve, trajnerit të fitnesit dhe gjithë stafit isha në gjendje të luaja për 80 minuta”.

Muriqi e di se detyra kryesore e një sulmuesi është të shënojë, por insistoi se për të kontributi ndaj ekipit shkon përtej golave.

“Jam sulmues dhe duhet të shënoj gola. E di këtë, por kam luajtur më parë këtu dhe ata që më njohin e dinë se synimi im parësor është të jem i vlefshëm për ekipin. Nëse kam bërë presion në ekipin kundërshtar me përpjekjet, kjo mjafton për mua. Nëse ka gol, do të jem dyfish i lumtur. Por golat do të vijnë”.

Muriqi foli edhe për Romelu Lukakun, i cili e zëvendësoi atë në minutën e 82-të dhe që vetëm pak ditë më parë iu bashkua Fenerbahces.

Sulmuesi kosovar beson se dyshja mund të krijojë një partneritet të rëndësishëm dhe se ai personalisht mund të mësojë shumë nga belgu.

“Lukaku ka arritur, mund ta quajmë yll botëror. Do të mësoj shumë prej tij. Mendoj se e plotësojmë njëri-tjetrin. Ai gjithashtu është person me qëllime shumë të mira”.

“Fenerbahce duhet t’i ketë gjithnjë dy-tri opsione të mira në sulm, mbrojtje e mesfushë. Mendoj se e kemi këtë tani. Luajmë 40-50 ndeshje në vit. Nuk ka rëndësi nëse luan Lukaku apo Vedati”.

“Jemi të fokusuar te synimi kryesor. Duam të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve fillimisht dhe më pas të bëhemi kampionë”, përfundoi sulmuesi kosovar./Telegrafi/

telegrafi sport app