Në profilet e veta në rrjetet sociale, Netflix ka publikuar fotografinë e parë të Imelda Staunton që e zëvendësoi Olivia Colman në rolin e Mbretëreshës Elizabeth II në sezonin e pestë të serisë “The Crown”.

Realizimi i dramës luksoze mbretërore nisi në fillim të këtij muaji në Mbretërinë e Bashkuar dhe një ekip i ri ka zënë vendin e familjes më të famshme të Britanisë.

Menjëherë pas xhirimeve, një fotografi e Imeldas u postua në profilin zyrtar të serisë në Twitter me përshkrimin: “Një vështrim i hershëm i Mbretëreshës sonë të re Elizabeth II, Imelda Staunton”.

Staunton zëvendëson Olivia Colman, e cila fitoi një nominim Emmy për portretizimin e Mbretëreshës, dhe Imelda do të përfaqësojë Madhërinë e Saj gjatë mandatit shtatëvjeçar të kryeministrit John Major.

Major luhet nga Jonny Lee Miller, ndërsa Lesley Manville është princesha Margaret, Jonathan Pryce do të luajë rolin e princit Philip dhe Elizabeth Debicki do të shfaqet si princesha Diana. Dominic West është konfirmuar si princi Charles.

Sipas Deadline, historitë në sezonin e pestë do të përfshijnë një intervistë bombastike me princeshën Diana për BBC, e cila doli në titujt e mediave muajt e fundit, pasi një hetim zbuloi mashtrimin e reporterit Martin Bashir në sigurimin e intervistës.

Duke folur për BBC për interpretimin e Mbretëreshës në fillim të këtij viti, Staunton tha është një rol më i komplikuar pasi “The Crown” regjistron periudhat e ndryshme në historinë britanike.

“Mendoj se sfida ime shtesë, sikur të kem nevojë për të, është se tani jam duke bërë një version të mbretëreshës me të cilën jemi njohur më mirë. Me Claire Foy ishte pothuajse histori dhe tani po luaj një të tillë njerëzit mund të thonë ‘ajo nuk punon’, ‘nuk është kështu'”, ka shpjeguar Staunton. /Telegrafi/