Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se ai ka zhvilluar një vizitë sekrete në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u takuar me liderin e atij vendi mes luftës kundër Iranit.

“Në mes të operacionit ‘Luani Ulëritës’, kryeministri Benjamin Netanyahu vizitoi fshehurazi Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u takua me presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed”, shkroi zyra e Netanyahut në platformën sociale amerikane X.


Detaje shtesë nuk u bënë të ditura zyrtarisht, por rrjeti televiziv amerikan CBS raportoi se vizita ndodhi në fund të marsit, gjatë kulmit të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

Një armëpushim u ndërmjetësua në prill dhe më pas u zgjat pa afat nga presidenti amerikan Donald Trump.

Wall Street Journal (WSJ) raportoi këtë javë se Emiratet kanë kryer fshehurazi sulme ndaj Iranit.

Një nga objektivat ka qenë një rafineri në ishullin iranian Lavan, e cila u godit në fillim të prillit.

Koha duket se përputhet me faktin që vizita e Netanyahut ka ndodhur pak para se Emiratet të nisin sulmin.

Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa balistike dhe dronë ndaj Emirateve dhe Kuvajtit.

WSJ-ja raportoi se Irani ka shënjestruar Emiratet më shumë se çdo vend tjetër, përfshirë Izraelin, me mbi 2.800 sulme me raketa dhe dronë ndaj këtij shteti të Gjirit.

Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, konfirmoi të martën se Izraeli ka dërguar sisteme kundër-raketore Iron Dome dhe personel në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë luftës.

“Dua të shpreh një fjalë vlerësimi për Emiratet e Bashkuara Arabe, anëtarin e parë të Marrëveshjeve Abrahamike”, tha Huckabee. “Shikoni vetëm përfitimet. Izraeli sapo u dërgoi sisteme Iron Dome dhe personel për të ndihmuar në operimin e tyre”, shtoi ai.

Marrëveshjet Abrahamike janë marrëveshje normalizimi të nënshkruara midis Izraelit dhe disa vendeve me shumicë myslimane gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump.

Katër vende u janë bashkuar marrëveshjeve të paqes — Bahrejni, Maroku, Sudani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Emiratet ishin vendi i parë që nënshkroi marrëveshjet.

Huckabee tha se ky veprim pasqyronte “një marrëdhënie të jashtëzakonshme midis Emirateve dhe Izraelit të bazuar në Marrëveshjet Abrahamike”. /AA/