Për dekada me radhë, debati në Iran për Detin Kaspik është përqendruar shpesh rreth një pyetjeje në dukje të thjeshtë: Sa për qind e Detit Kaspik i takon Iranit?

Irani,Rusia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Turkmenistani kanë të gjithë dalje në këtë masë ujore.


Megjithatë, Kaspiku nuk trajtohet as si një det i zakonshëm dhe as thjesht si një liqen ndërkombëtar.

Në vend të kësaj, këto pesë vende kanë zhvilluar një regjim të veçantë juridik që rregullon lundrimin, ujërat territoriale, peshkimin, sigurinë dhe burimet nënujore.

Hapi më i rëndësishëm u bë në vitin 2018, kur presidentët e pesë vendeve nënshkruan Konventën për Statusin Ligjor të Detit Kaspik në Aktau të Kazakistanit.

Konventa përcaktoi ujëra territoriale deri në 15 milje detare dhe një zonë ekskluzive peshkimi prej 10 miljesh detare shtesë për secilin shtet.

Megjithatë, ajo nuk e ndau të gjithë Kaspikun në pesë pjesë fikse kombëtare.

Pse Irani nuk zotëron gjysmën e Detit Kaspik?

Para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Irani dhe Bashkimi Sovjetik ishin të vetmet vende që kufizoheshin me Detin Kaspik.

Traktati i Miqësisë Ruso-Persian i vitit 1921 riktheu të drejtat e lundrimit të Iranit, të kufizuara më parë nga Rusia Perandorake.

Një traktat i vitit 1940 rregulloi më tej tregtinë dhe lundrimin.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre traktateve nuk i jepte Iranit 50% të Detit Kaspik.

Ahmad Vakhshiteh, drejtor i Qendrës për Kërkime Strategjike mbi Zhvillimin e Marrëdhënieve me Lindjen e Mesme në Moskë, thotë se ky dallim është thelbësor për të kuptuar mosmarrëveshjen.

"Asnjë prej këtyre traktateve nuk përcaktonte një përqindje për Iranin apo Bashkimin Sovjetik. Ato theksonin përdorimin e përbashkët dhe jo ndarjen e detit në pjesë pronësie."

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Turkmenistani u bënë shtete të pavarura, duke e shndërruar një marrëveshje dypalëshe në një negociatë mes pesë vendeve.

Disa politikanë iranianë kërkuan një pjesëmarrje prej 50%, duke argumentuar se më parë Irani e kishte ndarë detin vetëm me Bashkimin Sovjetik.

Të tjerë propozuan 20%. Deri më sot, asnjë prej këtyre pretendimeve nuk ka marrë njohje ndërkombëtare.

Çfarë zgjidhi marrëveshja e vitit 2018?

"Deti Kaspik nuk është as plotësisht det dhe as plotësisht liqen", tha Vakhshiteh.

Sipas tij, Konventa e vitit 2018 krijoi një regjim të veçantë juridik që bën dallimin midis ujit, shtratit detar, sigurisë dhe burimeve natyrore.

Konventa nuk e ndan sipërfaqen e ujit në sektorë kombëtarë. Çdo shtet ka ujërat e veta territoriale dhe zonat e peshkimit, ndërsa pjesët e tjera mbeten të hapura për lundrim të përbashkët.

Shtrati detar mund të ndahet përmes marrëveshjeve ndërmjet vendeve fqinje. Këto marrëveshje janë veçanërisht të rëndësishme sepse të drejtat mbi naftën dhe gazin në det varen kryesisht nga këta kufij.

Rusia,Kazakistani dhe Azerbajxhani kanë arritur tashmë disa marrëveshje dypalëshe për delimitimin. Kufijtë jugorë të Iranit mbeten ndër çështjet më të ndjeshme politikisht.

Si u bë siguria një çështje qendrore?

Konventa e vitit 2018 ndalon praninë e forcave të armatosura të shteteve që nuk kufizohen me Detin Kaspik. Gjithashtu, vendet bregdetare nuk duhet të lejojnë përdorimin e territorit të tyre për veprime ushtarake kundër një shteti tjetër kaspik.

Megjithatë, së fundmi Irani akuzoi Ukrainën për sulmin ndaj një anijeje tregtare iraniane në Detin Kaspik, ku humbi jetën një marinar. Kievi deklaroi se kishte shënjestruar mjete lundruese të përfshira në transportin e ngarkesave ushtarake të lidhura me Iranin dhe Rusinë.

Vakhshiteh argumenton se incidente të tilla tregojnë pse Teherani e konsideron largimin e fuqive ushtarake të jashtme nga Kaspiku si një prioritet strategjik.

"Irani mund të vazhdojë të negociojë për kufijtë e shtratit detar, por një parim i rëndësishëm tashmë ekziston: Deti Kaspik nuk duhet të kthehet në një bazë ushtarake për fuqitë jashtë rajonit."

Aktualisht, Irani është i vetmi nga pesë nënshkruesit që nuk e ka ratifikuar ende plotësisht konventën në parlament.

Nafta dhe gazi në Detin Kaspik

Pas debateve juridike dhe ushtarake fshihet një çështje tjetër madhore: energjia.

Azerbajxhanidhe Kazakistani kanë zhvilluar burime të konsiderueshme të naftës në det të hapur, ndërsa Turkmenistani zotëron rezerva të mëdha gazi natyror.

Strategu i energjisë Umud Shokri thotë, se edhe Irani ka potencial të rëndësishëm hidrokarburësh.

Zbulimi më i rëndësishëm iranian në Kaspik, Sardar-e Jangal, u bë në vitin 2012, por zhvillimi i tij ka qenë i ngadaltë dhe ende nuk ka hyrë në prodhim komercial.

Vlerësimet iraniane sugjerojnë se zona mund të përmbajë rreth 2 miliardë fuçi naftë, nga të cilat afërsisht 500 milionë mund të nxirren teknikisht, si dhe rezerva gazi natyror.

"Irani ka zbulime të konfirmuara hidrokarburesh dhe perspektiva premtuese, por baza e tij e burimeve komercialisht të shfrytëzueshme në Kaspik mbetet e pasigurt dhe kryesisht e pazhvilluar", tha Shokri.

Pjesa jugore e Detit Kaspik është dukshëm më e thellë se zonat e zhvilluara nga fqinjët e Iranit.

Fusha Sardar-e Jangal ndodhet në ujëra rreth 700 metra të thella, gjë që kërkon pajisje moderne shpimi, teknologji nënujore dhe investime të mëdha.

Sanksionet ndërkombëtare e kanë bërë më të vështirë aksesin e Iranit në teknologji, financim dhe kompani të specializuara.

Përveç kësaj, Irani ka alternativa më të lehta. "Irani ka fusha shumë të mëdha nafte dhe gazi në Gjirin Persik dhe në tokë, të cilat zakonisht janë më të lehta dhe më të lira për t'u zhvilluar", tha Shokri.

Për këtë arsye, investimi i miliarda dollarëve në projekte të vështira në ujërat e thella të Kaspikut ka qenë shpesh më pak tërheqës sesa zgjerimi i prodhimit në Gjirin Persik, si në fushën e gazit South Pars.

Pra, kush e zotëron Detin Kaspik?

Në fund, asnjë vend nuk e zotëron ose kontrollon i vetëm Detin Kaspik. Asnjë traktat nuk i jep Iranit, Rusisë apo ndonjë shteti tjetër një pjesë fikse të kësaj mase ujore.

Pesë shtetet bregdetare kanë ujëra territoriale dhe zona ekskluzive peshkimi, ndërsa pjesët e tjera mbeten të hapura për përdorim të përbashkët.

Kufijtë e shtratit detar, të cilët përcaktojnë shumë nga të drejtat për naftën dhe gazin në det, negociohen veçmas ndërmjet vendeve fqinje. Për Iranin, kjo do të thotë se disa nga të drejtat e tij mbi burimet në det të hapur mbeten ende objekt negociatash.

Megjithatë, sot pyetja mbi përqindjen e pronësisë nuk është më çështja kryesore.

Sfidat më të rëndësishme janë menaxhimi i burimeve të Detit Kaspik, përcaktimi i kufijve detarë dhe ruajtja e rajonit nga prania e forcave ushtarake të jashtme. /DW/