Nëse ju ndërpresin vazhdimisht kur flisni, përdorni këtë truk që i bën të gjithë t’ju dëgjojnë
Shumë njerëz ndihen keq kur dikush i ndërpret gjatë bisedës dhe krijojnë përshtypjen se mendimi i tyre nuk ka rëndësi
Ekspertët e komunikimit thonë se ekziston një mënyrë për ta rikthyer kontrollin mbi bisedën pa konflikt dhe pa ngritur zërin.
Pothuajse secili prej nesh e ka përjetuar të paktën një herë një situatë të pakëndshme: dikush na ndërpret në mes të fjalisë dhe vazhdon të flasë sikur ne të mos kishim thënë asgjë. Momente të tilla shpesh lënë ndjenjë frustrimi, parehatie dhe përshtypjen se mendimi ynë nuk vlerësohet mjaftueshëm.
Megjithatë, ekspertët e komunikimit pohojnë se ekziston një mënyrë për ta rikthyer kontrollin mbi bisedën pa grindje, pa ton të lartë dhe pa skena të pakëndshme.
Një nga personat që prej vitesh merret me këtë temë është Jessica Chen, themeluese e kompanisë "Soulcast Media" dhe ish-gazetare televizive, fituese e çmimit Emmy. Përmes punës së saj, ajo ka ndihmuar miliona njerëz të paraqiten më me siguri në mjedisin profesional dhe të mësojnë si të fitojnë hapësirën e tyre, edhe kur nuk janë më të zëshmit në dhomë.
Njerëzit që dëgjojnë me kujdes shpesh mbeten të padëgjuar
Siç shpjegon Jessica Chen, shumë njerëz të suksesshëm dhe të aftë kanë një tipar të përbashkët: së pari dëgjojnë me kujdes dhe vetëm pastaj flasin.
Problemi lind kur më në fund duan ta shprehin mendimin e tyre, por dikush i ndërpret dhe e merr bisedën në dorë.
“Kjo i prek veçanërisht personat më të qetë, të cilët nuk duan t’u hyjnë të tjerëve në fjalë”, shpjegon ajo.
Pikërisht për këtë arsye, ajo këshillon disa mënyra të thjeshta që mund t’ju ndihmojnë të ruani autoritetin dhe ta përfundoni atë që kishit ndër mend të thoshit, transmeton Telegrafi.

Gabimi më i madh është reagimi impulsiv
Kur dikush ju ndërpret, është krejt e natyrshme të ndieni nervozizëm apo zemërim. Megjithatë, Jessica paralajmëron se në ato çaste nuk duhet reaguar në mënyrë impulsive.
Në vend të kësaj, ajo këshillon të ndaleni për pak, ta qetësoni tonin dhe të përqendroheni te hapi i radhës.
“Kur mbeteni të qetë, dukeni më të sigurt dhe njerëzit ju marrin më seriozisht”, thotë ajo.
Thoni emrin e personit që ju ndërpreu
Një nga truket më efektive është shumë i thjeshtë: thoni emrin e personit që ju ka ndërprerë.
Njerëzit pothuajse në mënyrë instinktive reagojnë kur dëgjojnë emrin e tyre, prandaj në këtë mënyrë vëmendja shpesh kthehet automatikisht te ju. E rëndësishme është që toni të mbetet i qetë dhe i sigurt.
Më pas mund të vazhdoni me fjali si:
“Vetëm ta përfundoj atë që doja të thosha.”
“Është pikë e mirë, por do të doja ta përfundoja mendimin.”
“Pikërisht për këtë doja të shtoja edhe diçka…”
Në këtë mënyrë shmangni konfliktin, por njëkohësisht tregoni qartë se ende nuk e keni përfunduar atë që dëshironi të thoni. /Telegrafi/





























