LAJMI I FUNDIT:

Nëntë raste me variantin Omicron në Kosovë

Nëntë raste me variantin Omicron në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021.

Sipas një njoftimi, nga këto mostra, nëntë (9) prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529), përcjell Telegrafi.


Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste:

• 2 raste janë të importuara nga SHBA-të,

• 2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar,

• 1 rast është i importuar nga Franca; dhe

• 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.

Sipas IKSHPK-së, testimi është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSh-së.

“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndojë situatën epidemiologjike. Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus”, thuhet në njoftim.

Andaj, siç theksohet më tej, MSh dhe IKSHPK u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë me përpikmëri masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe t’i inkurajojnë të tjerët për vaksinim.

“Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë”, përfundohet në njoftimin e IKSHPK-së. /Telegrafi/