Në gjyq lexohet mesazhi i fundit i 14-vjeçares së gjetur e copëtuar në makinën e këngëtarit D4vd

Në një seancë gjyqësore në Los Angeles u lexuan mesazhet e fundit të 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez, e cila, sipas aktakuzës, u vra nga këngëtari David Anthony Burke (D4vd) në prill të vitit të kaluar.
Sipas prokurorisë, Celeste mbërriti me Uber në shtëpinë e saj në Hollywood dhe mesazhi i fundit ishte: "Jam pothuajse aty, hape derën nëse je në shtëpi".
Pas kësaj, telefoni i saj u fik.

Prokurorët pretendojnë se Burke e vrau me thikë sapo ajo hyri në shtëpi, më pas e copëtoi trupin dhe u përpoq të fshihte krimin duke i dërguar mesazhe nga telefoni i saj.
Trupi i vajzës u gjet pothuajse pesë muaj më vonë në makinën e tij.Burke është akuzuar për vrasje, abuzim seksual të një të miture nën 14 vjeç dhe copëtim të trupit.
Ai është deklaruar i pafajshëm.
Mbrojtja argumenton se nuk ka dëshmitarë apo pamje që vërtetojnë se vajza hyri në shtëpinë e tij ose se ai ndodhej aty në atë kohë.
Ajo gjithashtu pretendon se prindërit e të dyve ishin në dijeni të lidhjes së tyre dhe se vajza më herët kishte thënë se ishte 16 vjeçe. /Telegrafi/















































