eksperti-banner

Bebe Rexha ka qenë gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe autentike. Pa filtra, si gjithmonë, ylli i popit flet me pasion nga shtëpia e saj në Los Angeles gjatë një interviste në Zoom për revistën People, teksa rrëfen kapitullin e ri të karrierës së saj.

Që nga largimi nga shtëpia e saj diskografike afatgjatë në vitin 2025 për të vazhduar rrugëtimin si artiste e pavarur, Rexha thotë se ka nisur të rifitojë zërin dhe identitetin e saj artistik, shkruan People.


“Pas vitesh duke u ndier sikur nuk kisha asnjë fuqi, ishte shumë e vështirë të lidhesha me ndjenjat e mia të vërteta. Në një farë mënyre, isha mpirë emocionalisht”, shprehet këngëtarja 36-vjeçare.

Sipas saj, marrëveshja e fundit diskografike e kishte kufizuar krijimtarinë dhe e kishte bërë të ndiente se kishte humbur disa nga vitet më të mira të jetës.

Koopertina e albumit "Dirty Blonde" nga Bebe Rexha (Foto: Empire)

“Mendoj se valuta më e shtrenjtë në jetë është koha. Por duhet të vazhdosh përpara”, thotë ajo.

Këtë filozofi Rexha e ka reflektuar në albumin e saj të katërt, 'Dirty Blonde', i publikuar më 12 qershor. Projekti shënon një rikthim energjik te rrënjët e saj dance-pop, duke sjellë njëkohësisht tekste më personale dhe emocionale.

“U ndjeva e lirë”, thotë ajo për procesin e krijimit të albumit me 13 këngë. “Nuk më pëlqen të futem në një kuti”.

Një nga kantautoret më produktive të industrisë, Rexha e nisi karrierën duke shkruar hite për emra të mëdhenj si Eminem dhe Rihanna, përfshirë hitin e njohur The Monster.

Që nga debutimi i saj solo në vitin 2014, ajo ka korrur sukses në zhanre të ndryshme muzikore, nga balada country Meant to Be me grupin Florida Georgia Line, deri te hiti elektronik I'm Good (Blue) me David Guetta.

“Gjithmonë jam ndier pak e pasigurt për faktin që kisha këngë si ‘Meant to Be’, këngë dance me Guettan, ‘Me, Myself & I’ me G-Eazy apo ‘Seasons’ me Dolly Parton. Kishte kaq shumë tinguj të ndryshëm”, thotë Rexha.

“Por me ‘Dirty Blonde’, më në fund thashë: ‘E dini çfarë? Unë po i shkruaj vetë këto këngë. Më pëlqen të bashkëpunoj me njerëz të ndryshëm dhe do të bëj thjesht atë që dua’”.

Bebe Rexha(Foto: Nate Guenther)

E rritur në Staten Island nga prindër shqiptarë, Rexha u ekspozua ndaj shumë stileve muzikore që në fëmijëri dhe nuk është kufizuar kurrë në një identitet të vetëm artistik.

“Duke u rritur me një lloj të caktuar ylli pop, të cilin e adhuroja, gjithmonë ndihesha sikur nuk përshtatesha me modelin klasik”, shprehet ajo.

Albumi “Dirty Blonde” pasqyron pikërisht këtë rrugëtim personal. Fillimisht ishte menduar si një projekt i fokusuar te muzika dance, me këngë si Tokyo dhe New Religion, pasi këngëtarja dëshironte “të argëtohej” dhe “të ishte pjesë e kulturës së momentit”. Më vonë, ajo shtoi edhe elemente më akustike dhe country, si balada Drink and a Little Love.

Këngë të tjera trajtojnë përvojën e saj me industrinë muzikore dhe marrëdhëniet personale. Mes tyre janë Time, që reflekton mbi eksperiencën me kompanitë e mëdha diskografike, si dhe 'The Way I Want You' dhe 'Required Love', të cilat trajtojnë marrëdhëniet romantike.

“Gjatë këtij procesi të gjetjes së ekipit të duhur, kuptova se isha gati të zhytesha më thellë emocionalisht. Fillova të ndieja sërish”, thotë ajo.

- YouTube youtu.be

Ndryshe nga shumë yje të muzikës që ndërtojnë një imazh të përsosur publik, interpretuesja e hitit I'm a Mess nuk është shmangur kurrë nga diskutimi i pasigurive të saj, qoftë në muzikë apo në rrjetet sociale. Ajo ka folur shpesh për imazhin trupor dhe shëndetin mendor.

“Kam pasur ulje-ngritje. Kam qenë më e dobët, më e shëndoshë dhe gjithçka në mes. Gjëja më e rëndësishme për mua nuk është vetëm të dukem më bukur, por të ndihem më mirë”, thotë ajo.

Sot, Rexha deklaron se është shumë më e lumtur. Ajo ka pranuar gjithashtu se nuk do të jetë kurrë tipi i yllit të paarritshëm.

“Ka lloje të ndryshme yjesh të popit – ata që duken të paprekshëm dhe ata me të cilët publiku mund të identifikohet. Edhe pse do të më pëlqente të isha ajo figura e paarritshme, mendoj se unë duhet të jem e afërt me njerëzit, të tregoj të vërtetën dhe historinë time”, shprehet këngëtarja.

Tashmë, Rexha po e shijon këtë periudhë si grua dhe artiste e pavarur, duke e konsideruar atë një dëshmi të forcës dhe këmbënguljes së saj.

Para se të vendoste të merrte vetë kontrollin e karrierës, ajo zhvilloi takime me disa kompani të mëdha diskografike, të cilat e refuzuan për arsye që i quan “të çmendura”, përfshirë pretendimin se ishte “shumë e vjetër”.

Megjithatë, kjo nuk e ndaloi. “Mund të isha dorëzuar fare lehtë. Ajo për të cilën jam më krenare është se nuk u dorëzova kurrë”, përfundon ajo. /Telegrafi/