Real Madridi ka marrë një fitore spektakolare 2-1 ndaj Interit në një ndeshje të denjë për magjinë e Ligës së Kampionëve, ku nuk munguan rastet, pritjet e jashtëzakonshme dhe emocionet deri në sekondat e fundit.

Interi e nisi shumë më mirë takimin dhe që në minutën e tretë Marcus Thuram pati një mundësi të artë, por goditja e tij nga afërsia u ndal nga Thibaut Courtois. Vetëm pak minuta më vonë, Lautaro Martinez provoi me një goditje të bukur nga jashtë zonës, por sërish Courtois ishte në lartësinë e detyrës.


Pavarësisht presionit të Interit, Real Madridi ishte ai që kaloi në epërsi. Në minutën e 14-të, Brahim Diaz asistoi për Kylian Mbappen, i cili u gjend i lirë brenda zonës dhe me një goditje të menjëhershme e dërgoi topin në këndin e poshtëm për 1-0.

Interi vazhdoi të kërkonte golin e barazimit dhe Hakan Calhanoglu ishte pranë tij nga një goditje dënimi, por Courtois bëri një tjetër pritje të shkëlqyer.

Në anën tjetër, Real Madridi ishte klinik dhe në minutën e 23-të e dyfishoi epërsinë. Federico Valverde përfitoi nga një gabim i madh i portierit Josep Martinez dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Pas golit të dytë, ndeshja u bë edhe më e hapur. Curtis Jones goditi shtyllën në minutën e 36-të, ndërsa në fund të pjesës së parë Real Madridi pati dy mundësi të tjera për të shënuar. Jude Bellingham u ndal nga Josep Martinez, ndërsa Brahim Diaz e dërgoi topin vetëm pak centimetra jashtë shtyllës.

Në pjesën e dytë, Interi u rikthye me një ritëm edhe më të madh në kërkim të përmbysjes. Curtis Jones pati dy mundësi të mira, por Courtois vazhdoi të ishte i pakalueshëm. Edhe Bellingham rrezikoi në minutën e 58-të, por Josep Martinez reagoi mirë për ta mbajtur Interin në lojë.

Në minutën e 77-të erdhi goli që e ndezi plotësisht ndeshjen. Carlos Augusto reagoi bukur brenda zonës dhe me një goditje të parë e dërgoi topin në rrjetë për 2-1. Interi tashmë besonte fuqishëm në barazim dhe u hodh me të gjitha forcat në sulm.

Real Madridi pati mundësinë ta mbyllte ndeshjen, me Yan Diomanden që goditi në këmbët e portierit në minutën e 81-të.

Në minutat e fundit, Interi kërkoi me ngulm golin e barazimit, ndërsa Courtois bëri edhe një tjetër pritje të jashtëzakonshme në minutën e 90-të ndaj Henrikh Mkhitaryanit, duke shpëtuar Realin nga një gol i sigurt.

Në fund, Real Madridi rezistoi dhe festoi një fitore 2-1 në një ndeshje të jashtëzakonshme. Interi krijoi shumë raste dhe e vuri vazhdimisht në provë Courtois, por madrilenët treguan efikasitet maksimal dhe morën një triumf të madh në këtë spektakël të Ligës së Kampionëve.

telegrafi sport app