Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ekspozimi i mallrave në hapësira publike është i ndaluar dhe se inspektorati komunal ka nisur ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk respektojnë këtë vendim.

Në një deklarim publik, Rama ka theksuar se trotuaret duhet të mbeten të lira për qarkullimin e këmbësorëve dhe nuk mund të shfrytëzohen për aktivitete tregtare.


“Ekspozimi i mallrave në hapësira publike është i ndaluar. Trotuaret janë për këmbësorët dhe duhet të mbeten të lira për lëvizje të sigurt dhe të papenguar”, ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë të ditur se inspektorati komunal tashmë ka shqiptuar gjoba ndaj shkelësve, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe nuk mund të shndërrohen në hapësira private”, ka theksuar ai.

Rama u ka bërë thirrje bizneseve që të respektojnë rregullat në fuqi, duke shtuar se kjo është e domosdoshme për krijimin e një qyteti më të rregullt, më të sigurt dhe më të qasshëm për qytetarët. /Telegrafi/