Obiliqi nis menaxhimin lokal të mbeturinave, prej sot shërbimi kalon te NPL “Kastrioti”

Komuna e Obiliqit ka nisur nga sot organizimin e ri të shërbimit për mbledhjen e mbeturinave në të gjithë territorin e saj, përmes Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti”.
Këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, i cili njoftoi se KRM “Pastrimi” ka përfunduar operimin në këtë komunë dhe se tashmë shërbimi do të kryhet nga ndërmarrja lokale.
“KRM Pastrimi sot, më 1 qershor 2026, e përfundon shërbimin në komunën e Obiliqit. Ky hap është marrë në koordinim të plotë me të gjitha ministritë dhe, gjithashtu, edhe Kuvendin Komunal. Dhe, duke parë nevojën për mbledhjen e mbeturinave, duke e parë edhe dështimin e KRM Pastrimit, ne si komunë sot kemi vendosur që të fillojmë këtë aktivitet vetë. Pra, unë si kryetar komune i kam garantuar qytetarët e komunës së Obiliqit se do të jem përballë sfidave që ata i kanë. Pra, unë jam në shërbim të qytetarit dhe unë përgjigjem për çdo shërbim që i duhet qytetarit të komunës së Obiliqit. Prandaj, të dashur qytetarë, kërkoj mirëkuptimin tuaj që dhe kërkojmë falje për këto katër muaj, pesë muaj që nuk ka arritur KRM Pastrimi t’i mbledhë mbeturinat me kohë. Pra, ne po fillojmë tani, nga 1 qershori, që t’i mbledhim mbeturinat anë e mbanë komunës së Obiliqit”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se ndërmarrja lokale tashmë ka nisur punën në terren, ndërsa paralajmëroi investime të reja në makineri dhe pajisje për përmirësimin e shërbimeve.
Duke folur për arsyet që çuan në këtë vendim, Thaçi tha se komuna është përballur për vite me radhë me probleme në mbledhjen e mbeturinave dhe se situata është përkeqësuar gjatë periudhë së fundit.
“KRM Pastrimi ka operuar në komunën e Obiliqit qysh nga viti 1999, pra dhe në këtë kohë po shihet që KRM Pastrimi është tashmë në falimentim, dhe nuk kemi ne faj se KRM Pastrimi është në një gjendje të tillë dhe natyrisht që kjo problematikë unë si kryetar nuk do të lejoj që t’ju kalojë qytetarëve. Pra dhe kemi vendosur, duke e kaluar dy herë në dy procedura i kemi kaluar në Kuvendin Komunal, natyrisht që i kemi kaluar edhe të gjitha procedurat nëpër ministri dhe dikastere të ndryshme të ministrive, që ta themelojmë departamentin për mbledhjen e mbeturinave në kuadër të ndërmarrjes lokale Obiliq. Unë përsëri po iu bëj thirrje qytetarëve të komunës së Obiliqit, që qysh nga 1 qershori pra mbeturinat duhet t’i paguajnë NPL Kastriotit dhe jo më KRM Pastrimit”, tregoi ai.
Kryetari i Obiliqit sqaroi se obligimet e mëhershme financiare ndaj KRM “Pastrimi” duhen kryer, pra qytetarët të cilët kanë pasur borxhe ne fatura te KRM Pastrimi duhet t’i paguajnë ato fatura e më pas faturat për shërbimet e ofruara nga 1 qershori e tutje do të lëshohen nga NPL “Kastrioti”.
Sipas tij, ankesa të shumta nga qytetarët lidhur me mosmbledhjen e rregullt të mbeturinave kanë qenë një ndër arsyet kryesore që komuna të ndërmarrë këtë hap.I pyetur për kushtet e punëtorëve dhe nivelin e pagave në kuadër të organizimit të ri, Thaçi premtoi trajtim më të mirë për stafin që do të angazhohet në departamentin e mbledhjes së mbeturinave.
“Ndërmarrja KRM Pastrimi është e falimentuar sa i përket shërbimeve në Kastriot, Obiliq. Dhe natyrisht që gjendja e punëtorëve, përveç makinerisë, edhe gjendja e punëtorëve ka qenë, kushtet e tyre kanë qenë shumë të rënda. Pra unë i siguroj punëtorët e, në NPL Kastriotit, departamentit të mbledhjes së mbeturinave, që do të kenë paga të dinjitetshme, do të kenë kushte të dinjitetshme. Pra për këtë, ja përgjegjësi unë si kryetar komune. Dhe tash e tutje, qysh nga sot, faji nuk mbetet jetim, por faji për dështimin e mbledhjes së mbeturinave ka emër e mbiemër, ajo është institucioni i komunës së Obiliqit”, përfundoi Thaçi.
Në fund, Thaçi theksoi se përgjegjësia për funksionimin e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave tashmë i takon drejtpërdrejt Komunës së Obiliqit dhe se qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë llogari nga institucionet komunale për cilësinë e këtij shërbimi. /Kp/








































