LAJMI I FUNDIT:

Ndalimi i prodhimit të veturave me karburante deri në vitin 2035 shkakton ndasi në qeverinë gjermane

Ndalimi i prodhimit të veturave me karburante deri në vitin 2035 shkakton ndasi në qeverinë gjermane

Qeveria gjermane nuk do të mbështesë draftin e ligjit evropian që parashikon ndalimin e shitjes së motorëve me djegie të brendshme nga viti 2035, tha të martën ministri i Financave, Christian Lindner.

Sipas tij, pjesë të mëdha të botës në atë kohë nuk do të jenë gati për elektromobilitet, raporton politico.

Nëse Bashkimi Evropian ndalon regjistrimin e automjeteve të reja me motorë benzinë ose naftë në territorin e tij, prodhuesit në Evropë dhe Gjermani do të ndalojnë zhvillimin e tyre. Një ndalim i tillë de fakto i prodhimit të motorëve me djegie të brendshme është i gabuar, tha ai.

“Prandaj kam vendosur që ne si qeveri të mos e mbështesim këtë draft”, tha ministri në Ditën e Industrisë në Berlin, duke shtuar se teknologjia e hapur është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së tregut.

Ministri gjerman i Transportit dhe kolegu i Partisë Liberale (FDP) të Lindnerit, Volker Wissing, vlerësuan në mënyrë të ngjashme projektligjin e Parlamentit Evropian javën e kaluar.

Megjithatë, qëndrimi i Vising dhe Lindner nuk ndahet nga Partia e Gjelbër, një nga tre partitë në koalicionin qeveritar. Ministrja e Ekologjisë, Steffi Lemke, tha se “qeveria federale mbështet plotësisht propozimin e Komisionit (Europian) dhe Parlamentit Evropian për të lejuar shitjen e vetëm automjeteve për pasagjerë dhe të lehta komerciale që nuk prodhojnë gazra të dëmshëm nga viti 2035”.

Për momentin, është e paqartë se si Gjermania do të votojë në BE për draftin, i cili duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët e BE-së përpara miratimit. /Telegrafi/