LAJMI I FUNDIT:

Ndalimi i dasmave e mbrëmjeve nuk dëmtoi veç këngëtarët, edhe buxheti i shtetit pësoi humbje

Ndalimi i dasmave dhe ahengjeve nuk shkaktoi dëme vetëm te të ardhurat e këngëtarëve të estradës kosovare, të cilët ishin më të zëshmit që Qeveria t’i heqë këto kufizime. Efekti zinxhiror i dëmtimit buxhetor përfshiu edhe shtetin, i cili nuk mundi t’i inkasojë tatimet e përvjetshme nga këngëtarët.

Ndalesat e vëna nga Qeveria e kaluar e Kosovës si masa preventive për ndalimin e përhapjes së coronavirusit, më së shumti prekën sektorin ekonomik të Kosovës, që u godit rëndë nga ndalja e aktivitetit të zakonshëm nga i cili varej direkt mbijetesa e tij.


Pasi po bëhen katër muaj që nga vendosja e kufizimeve ndaj operatorëve ekonomikë, e që ndërlidhen me ndalimin e veprimtarisë së tyre respektive, humbjet në të ardhura llogariten të jenë milionëshe.

Nga këto rrethana të reja të krijuara, pësuan edhe këngëtarët e estradës kosovare, të cilët gjatë kësaj periudhe nuk mundën të performojnë në dasma e ahengje të ndryshme, siç rëndom vepronin viteve të kaluara.

Afrim Muçiqi dhe Xeni (Foto: Facebook)

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi – Sefa në një përgjigje dhënë Telegrafit, thekson se vetëm gjatë vitit të kaluar, ky institucion ka inkasuar mbi 759 mijë euro tatime nga këngëtarët kosovarë.

Gjatë së njëjtës periudhë, u shqiptuan edhe gjoba për ata që nuk iu përmbajtën rregullave, apo në çfarëdo forme u thyen ato, përfshirë këtu shmangien nga tatimet apo parregullsive tjera.

“Kjo kategori e këngëtareve për vitin 2019 ka paguar tatim në vlerë 759,030 euro, po ashtu gjatë këtij viti-2019 janë realizuar 204 vizita , ku si rezultat i tyre janë inkasuar 261,951 euro, po ashtu kemi pasur edhe 136 gjoba”, thekson Bytyqi-Sefa për Telegrafin.

Mirëpo ky vit nuk do të shënojë as për afër shifra të tilla. Kjo pasi që nga muaji mars, siç bën të ditur Bytyqi-Sefa ka pasur shtyrje të deklarimit dhe pagesës së tatimeve, andaj nuk mund të ketë as të dhëna të sakta se sa mund të jenë humbjet apo inkasimet.

“Sa i përket këtij viti, siç edhe e dini nga muaji mars si rezultat i gjendjes se krijuar nga pandemia, kemi pasur shtyrje te deklarimit dhe pagesës se tatimeve. Andaj, edhe nuk mund te kemi te dhëna te sakta për periudhën e cekur nga ana juaj”, thekson zëdhënësja e ATK-së.

Labinot Tahiri dhe Edona Llalloshi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

E artistët nuk do të mund t’i ikin detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Ata që tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë, përveç me gjoba, do të ndëshkohen edhe në forma tjera përfshirë bllokimin e llogarive, e deri tek ndalesa për largim nga Kosova.

“Të gjithë tatimpaguesit borxhlinj ndaj ATK-së, përfshirë edhe këngëtarët, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, nëse nuk kanë vullnet që të paguajnë borxhet e tyre, do të iu nënshtrohen procedurave të Mbledhjes së Detyrueshme nga ATK, që përfshijnë bllokime të llogarive, tërheqje të mjeteve nga llogaritë e tyre bankare, ndalesa për largim nga Kosova e deri në konfiskim të pasurive të ndryshme”, sqaron tutje zëdhënësja e ATK-së.

Ndonëse kudo në media përmenden fitimet marramendëse të këngëtarëve nëpër dasma dhe ahengje të ndryshme, numri i saktë i personave nga estrada që paguajnë tatime nuk dihet, për shkak se të njëjtit janë të regjistruar në forma të ndryshme në ATK.

Afrim Muçiqi flet pas reagimit të Qeverisë për dasmat: E mirëpres çfarëdo vendimi, shëndeti i njerëzve është më i rëndësishëm
Lexo po ashtu Afrim Muçiqi flet pas reagimit të Qeverisë për dasmat: E mirëpres çfarëdo vendimi, shëndeti i njerëzve është më i rëndësishëm

Artistë e këngëtarë nga estrada kishin protestuar edhe në sheshet e Prishtinës, me kërkesën e vetme të lejimit të mbajtjes së dasmave në Kosovë, gjë që kishte hapur edhe një debat publik në vend.

Sidoqoftë, Qeveria ende nuk ka marrë një vendim final rreth mbajtjes apo jo të ahengjeve muzikore, përkundër se nga 1 korriku është bërë njoftimi i tyre.

Pra që nga fillimi i muajit të ardhshëm, këngëtarët, mirëpo edhe shteti do të përfitojnë nga mbajtja e dasmave në territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa nuk dihet nëse institucionet kompetente do të marrin ndonjë vendim lidhur me tatimet që paguhen nga këngëtarët në bazë të fitimeve të tyre në këto ahengje familjare.

Gjithashtu, ditëve në vijim pritet të bëhen të ditura edhe detajet e mëtutjeshme lidhur me formën e organizimit të dasmave, e që kanë të bëjnë me masat të cilat janë obligative për ndalimin e përhapjes së coronavirusit, në një kohë kur rastet me infeksione janë shtuar dukshëm. /Telegrafi/