LAJMI I FUNDIT:

Najçevska: Referendumi i referohet një çështjeje që është në kompetencë ekskluzive të Kuvendit

Najçevska: Referendumi i referohet një çështjeje që është në kompetencë ekskluzive të Kuvendit

Nuk ndalen reagimet në opinion pasi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi hodhi poshtë nismën për referendum të OBRM-PDUKM-së për anulimin e marrëveshjes me Bullgarinë. Sipas qëndrimeve të ndryshme të avokatëve, disa prej të cilëve kanë shkuar në drejtimin se Kuvendi nuk është kompetent, profesoresha universitare Mirjana Najçevska thotë se referendumi i referohet një çështjeje që është në kompetencë ekskluzive të legjislativit.

“Ju lutem ndaloni marrëzitë. Marrëveshja me Bullgarinë është ratifikuar në Kuvend. Kuvendi është i vetmi autoritet kompetent për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Mos e ngatërroni nënshkrimin e një marrëveshjeje me ratifikimin e saj. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk prodhojnë efekt juridik me nënshkrimin por me ratifikimin.
Siguroni njohuri elementare ligjore. Dhe po, referendumi i referohet një çështjeje që është në kompetencë ekskluzive të Kuvendit. Ekskluzive. Këtu nuk ka asnjë anomali përveç se personat me njohuri shumë modeste të drejtësisë janë profesorë universiteti”, thotë Najçevska.


Ajo sqaron se qytetarët e shprehin mendimin e tyre me referendumin.

“Qeveria duhet ta përkthejë atë opinion në një procedurë konkrete që do të japë rezultatin e dëshiruar, kjo është puna e saj. Askush nuk duhet t’i pengojë qytetarët të shprehin mendimin e tyre. Kjo quhet demokraci. Nuk ka rëndësi nëse më pëlqen tema e referendumit. Dhe nuk ka rëndësi nëse më pëlqen mendimi i qytetarëve. Është i rëndësishëm funksionimi i shtetit si demokraci”, thotë ajo.

Najçevska kundërshton pretendimet e disa avokatëve të cilët pretendojnë se nuk ka procedurë për deratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare./Telegrafi/