LAJMI I FUNDIT:

Mushkolaj thotë se ndërkombëtarët po kërkojnë zgjidhje, nuk duan zgjedhje të reja

Mushkolaj thotë se ndërkombëtarët po kërkojnë zgjidhje, nuk duan zgjedhje të reja

Analisti Imer Mushkolaj ka folur rreth mundësisë për të ngritur një qeveri teknike, ose për zëvendësimin e Haradinajt nga një tjetër mandatar në postin e kryeministrit.

Sa i përket qeverisë teknike, ai tha se nuk ka vullnet nga partitë për një gjë të tillë, pasi kërkohet një marrëveshje e gjerë politike. Sipas tij, për një qeveri teknike do të duhej edhe mbështetja e LDK-së, pasi Vetëvendosje nuk do të pranonte në asnjë mënyrë.


Ndërsa, si mundësi është edhe zëvendësimi i Haradinajt nga një tjetër mandatar që do të udhëhiqte qeverinë, siç u veprua në vitin 2005, por Mushkolaj kujton deklaratën e dorëheqjes së kryeministrit në detyrë kur tha se mandatin po ia dorëzonte sovranit.

Më shumë se partive politike, Mushkolaj shprehet se janë ndërkombëtarët ata që do të bëjnë të pamundurën që të gjendet një figurë që do të krijonte një qeveri të re pa shkuar vendi në zgjedhje.

“Unë besoj që përpjekjet e partnerëve ndërkombëtarë janë që të gjendet dikush që do të mund të merrte mandatin për krijimin e një qeverie të re pa shkuar fare në zgjedhje, ata do t’i shtjerrin të gjitha mundësitë që të ndodhë kjo. Edhe në këto takime që duken si takime kurtuazie ka diçka të vërtetë se ata janë në kërkim të një personi që do të vazhdonte mandatin. Ne absolutisht nuk duhet t’ju besojmë këtyre deklaratave të partive politike që assesi nuk do të pranojnë të hyjnë në qeveri teknike e madje është fyerje qeveria teknike etj. etj., nuk po them se është zgjidhja më e mirë e mundur për shkak se më e mira e mundshme është që të dilet në zgjedhje dhe qytetarët të votojnë dhe të krijohen institucione legjitime, por nëse arrihet që të gjendet një zgjidhje e tillë me marrëveshje politike atëherë është legjitime dhe duhet të shkohet me tutje”.

“Është e rëndësishme që në këtë rast të ketë mbështetjen e LDK-së sepse nuk besoj që Vetëvendosje do të bëhet pjesë e kalkulimeve të tilla, por edhe me mbështetjen eventuale të LDK-së duhet pritur 3 gushtin dhe Kuvendin e LDK-së se është shumë e rëndësishme kush do të zgjidhet në krye të LDK-së për të pasur një situatë të qartë se çfarë mund të ndodhë”, tha Mushkolaj.

Sidoqoftë, analisti shprehet se sfidë për kryeministrin e ardhshëm do të jetë taksa dhe marrëveshja me Serbinë, të cilat çështje ndërkombëtarët duan t’i mbyllin sa më shpejtë.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Mushkolaj deklaroi se një premtim i tillë, i cili po bëhet prej vitesh, është tallje me qytetarët e Kosovës.

Ai tha se nuk e kupton se si të njëjtit politikanë kanë fytyrë të shfrytëzojnë këtë premtim, ndërkohë që qytetarët po e lëshojnë vendin me viza pune drejt vendeve perëndimore./KP/Telegrafi/