LAJMI I FUNDIT:

Muriqi: Fenerbahce vendos për mua, me Kosovën drejt EURO 2020

Muriqi: Fenerbahce vendos për mua, me Kosovën drejt EURO 2020

Vedat Muriqi është shembulli se si mund të arrish majat në futboll duke u bazuar te puna, pa u tërhequr asnjë moment, përtej vështirësive të karrierës.

Ai ka folur për Supersport, sa i përket periudhës së pandemisë, por edhe rikthimit në stërvitje.


“Pandemia na penalizoi shumë, sa kishim marrë hovin dhe kisha performanca të mira individuale. Është më vështirë të përshtatemi si në fillim të kampionatit. Do të japim maksimumin edhe për ekipin”.

“Ne e kemi pasur të vështirë të gjenim kohën për familjen. Kam gati tre muaj që jam me bashkëshorten dhe djalin. Pandemia na ndihmoi në këtë aspekt. Jam stërvitur individualisht, “online”. U ndje mangësia e stërvitjes në këtë periudhë. Brenda dy javëve besoj do të rikthehem në formën e duhur”, ka thënë ai fillimisht.

Ka pasur shumë zëra për të ardhmen e tij, por Muriqi thotë seështë në klubin më të madh në Turqi.

“Unë jam te klubi më i madh të Turqi. Nuk flas dot për merkaton. Kam kontratë 3-vjeçare dhe Gjithçka varet nga klubi. Ai vendos, unë jam adhurues dhe tifoz i Fenerbahçes. Në fillim është dëshira e klubit, pastaj dëshira e Muriqit”.

“Gjithmonë kam dashur të jem shembull për të rinjtë. Duhet shumë punë, futbolli kërkon shumë sakrifica. Në fillim të karrierës te Besa dhe Teuta kam sakrifikuar shumë. Mbaj mend fjalën e xhaxhait tim: Ti vetëm puno, se Zoti nuk ta humb djersën. Këtë këshillë kam për të gjithë brezin e ri”, deklaroi ai.

Shumë klube janë interesuar për Muriqin, përfshirë së fundmi edhe emra si Milani dhe Interi.

“Është krenari të më krahasojnë me një sulmues si Ibra. Nuk jam unë ai që flas për transferimet. Dëshira ime nuk vlen, sepse fjalën kryesore e thotë klubi. Do të jap maksimumin deri në fund të kontratës”.

“Dy herë e kanë marrë vendimin që do nisë në 12 qershor. Nesër merret vendimi përfundimtar. Mund të vonohet edhe 1 javë më tepër dhe të fillojë më 19 qershor. Besoj se do të jemi gati”.

Sfida e Kosovës me Maqedoninë e Veriut që është edhe vendimtare, shihet me optimizëm nga Muriqi.

“Shembulli më i mirë është Shqipëria, nëse duam diçka ne, shqiptarët, e arrijmë. Kemi grup të frikshëm dhe të mirë dhe besoj që do të arrijmë të fitojmë me Maqedoninë dhe të dalim në ndeshjen jetike, për të bërë krenar gjithë Shqipërinë dhe Kosovën. Shqiptaria besoj pret kualifikimin e Kosovës”, deklaroi ai. /SS/