LAJMI I FUNDIT:

Murati: Të rishikohen koeficientët e ligjit të pagave

Murati: Të rishikohen koeficientët e ligjit të pagave

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati ka kërkuar që të rishikohen të gjithë koeficientët e pagave në vendin tonë.
Sipas tij, përfundimit të grevës në arsim nuk po i shihet zgjidhje dhe me këtë dëmet më të mëdha do t’i kenë nxënësit.

“Greva e arsimtarëve po përmbyll javën e dytë dhe zgjidhja nuk po duket në horizont. Kërkesat e arsimtarëve janë të drejta, ashtu siç është e vërtetë se nxënësit po dëmtohen jashtëzakonisht shumë në këtë situatë. Oferta e qeverisë për rritje të pagave ishte e pamjaftueshme dhe sidomos nën dritën e rritjes së pamenduar të pagave për vetveten, numrit enorm të ministrave, zëvendësministrave e stafit tjetër përcjellës edhe vështirë e pranueshme jo vetëm nga arsimtarët por edhe nga shoqëria”, ka shkruar Murati.


Kjo dëshmon sesi një veprim i pamenduar qeveritar mund të shkaktojë një kaos zinxhiror në funksionimin e tërë hallkave të shtetit dhe shoqërisë.

“Duke qenë se kjo çështje duhet të zgjidhet me ligjin për pagat, e ky ligj është në procedura parlamentare, ftoj të gjithë aktorët të përfshihen në një dialog të thellë social. Qeveria, të gjitha partitë parlamentare, pozitë dhe opozitë si dhe SBASHK-u të fillojnë një dialog i cili do të rezultonte me rishikimin dhe balancimin e koeficienteve, e me që rast do të rriteshin ato për arsimtarët, mjekët etj., dhe do të zvogëloheshin për qeveritarët. Fillimi këtij dialogu do të duhej të përcillej me ndërprerjen e grevës”, tha ai. /Telegrafi/