Jose Mourinho ka vendosur rregulla të qarta dhe të rrepta që duhet t’i respektojnë të gjithë futbollistët e Real Madridit, në përpjekje për të vendosur disiplinë maksimale brenda skuadrës.

Trajneri portugez u rikthye në stolin e Real Madridit gjatë verës së kaluar, pasi klubi vendosi të ndahej nga Xabi Alonso dhe Alvaro Arbela, pas një sezoni që nuk përmbushi pritshmëritë.


Sipas portalit anglez talkSPORT, Mourinho ka vendosur pesë rregulla kryesore për lojtarët e tij.

1. Vonesa në stërvitje

Çdo lojtar që vonohet në stërvitje largohet menjëherë nga grupi dhe dërgohet në palestër për të kryer punë individuale.

2. Vonesa nënkupton mungesë në ndeshjen e radhës

Përveç punës individuale, një lojtar që vonohet në stërvitje nuk do të aktivizohet automatikisht në ndeshjen e ardhshme.

3. Nuk ka gjoba për vonesat

Mourinho nuk dëshiron të përdorë gjoba financiare si masë disiplinore. Sipas tij, gjobat nuk kanë efekt te futbollistët që fitojnë paga të larta. Kylian Mbappe, për shembull, raportohet se përfiton më shumë se 600 mijë euro në javë.

4. Rehabilitimi vetëm nën mbikëqyrjen e klubit

Lojtarët e dëmtuar duhet ta kryejnë procesin e rehabilitimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Real Madridit. Terapitë private jashtë ambienteve të klubit nuk lejohen.


5. Dieta përcaktohet nga klubi

Të gjithë futbollistët duhet t’i përmbahen një diete të përcaktuar nga klubi, pa vendosur individualisht se çfarë ushqimi do të konsumojnë.

"Frymëzimi" nga Hansi Flick

Sipas raportimeve, Mourinho është frymëzuar për disa prej këtyre masave nga Hansi Flick, trajneri i Barcelonës dhe një prej rivalëve të tij kryesorë në La Liga.

Barcelona e mbylli sezonin e kaluar si kampione e Spanjës, ndërsa Real Madridi mbeti pa një trofe të rëndësishëm.

Të dyja skuadrat e kanë nisur mirë sezonin e ri, me nga tri fitore në tri ndeshjet e para, duke dhënë sinjale se edhe këtë edicion pritet një garë e fortë për titullin në Spanjë.

Me rregullat e reja, Mourinho synon të vendosë një standard të lartë disipline në dhomën e zhveshjes së Real Madridit. /Telegrafi/

telegrafi sport app