Trajneri portugez Jose Mourinho ka rekomanduar mesfushorin e talentuar Mateus Fernandes si një përforcim të mundshëm për Real Madridin, raportojnë mediat spanjolle.

Sipas gazetës AS, Mourinho, i cili po lidhet gjithnjë e më shumë me një rikthim të mundshëm në stolin e madrilenëve, e ka diskutuar emrin e 21-vjeçarit gjatë takimeve me Florentino Perezin.


Tekniku portugez beson se Fernandes do të ishte një zgjidhje ideale për mesfushën e “Los Blancos”, duke vlerësuar potencialin dhe cilësitë e tij teknike.

Transferimi i mesfushorit portugez konsiderohet më i realizueshëm sesa emra të tjerë që kanë qenë në radarët e Real Madridit, si Joao Neves apo Vitinha.

Megjithatë, West Hami, pavarësisht rënies nga Liga Premier, nuk pritet ta lërë lojtarin të largohet me një çmim të ulët.

Klubi anglez synon të përfitojë rreth 80 milionë euro nga shitja e tij.

Mateus Fernandes është produkt i akademisë së Sportingut të Portugalisë.

Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur edhe për Estorilin dhe Southamptonin, ndërsa sezonin e kaluar me West Hamin regjistroi 38 paraqitje në të gjitha garat, duke kontribuar me katër gola dhe katër asistime.

Performancat e tij të mira i kanë siguruar gjithashtu edhe debutimin me kombëtaren A të Portugalisë, duke u konsideruar si një nga mesfushorët më premtues të gjeneratës së re portugeze. /Telegrafi/

telegrafi sport app