Mourinho dëshiron transferimin e top sulmuesit te Real Madridi


Komentatori i futbollit Ertem Sener ka deklaruar se ekziston një mundësi e qartë që sulmuesi Victor Osimhen të largohet nga gjiganti turk Galatasaray këtë verë.
Sipas tij, trajneri i sapoemëruar i Real Madrid, Jose Mourinho, raportohet se dëshiron të transferojë sulmuesin e kombëtares nigeriane për projektin e tij të rindërtimit në Spanjë.
Osimhen ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, duke udhëhequr Galatasarayn drejt titullit në Superligën e Turqisë, me 15 gola dhe pesë asistime.
Interesimi për të në afatin kalimtar është i madh, me klube elitare evropiane si Chelsea, Arsenal, Barcelona dhe Paris Saint-Germain që po monitorojnë situatën e tij nga afër.

“Unë mendoj se ekziston mundësia që Osimhen të largohet nga Galatasaray. Kam dëgjuar se Mourinho e dëshiron atë te Real Madridi”.
“Florentino Perez ka thënë gjatë zgjedhjeve: ‘Kam arritur marrëveshje me një lojtar për 150 milionë euro’. Edhe Galatasaray po kërkon po atë shumë për Osimhen”.
“Po i pyes tifozët e Galatasarayt: nëse Florentino Perez dërgon 150 milionë euro dhe thotë ‘po blej Victor Osimhen’, çfarë thoni?”, ka thënë Sener.
Sipas raportimeve, një lëvizje e tillë nuk është e pamundur, sidomos pasi Mourinho, gjatë kohës së tij te Fenerbahce, kishte deklaruar më herët se do ta transferonte Osimhen nëse do të kishte mundësi financiare për ta bërë këtë./Telegrafi/







































