LAJMI I FUNDIT:

Mitrovica fillon realizimin e projektit për ndarjen e mbeturinave organike

Mitrovica fillon realizimin e projektit për ndarjen e mbeturinave organike
?

Në kuadër të zbatimit të Planit Komunal për Menaxhim të Mbeturinave, Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit ka nisur realizimin e pilot projekti për ndarjen e mbeturinave organike në amvisëritë e fshatit Kçiq të Komunës së Mitrovicës.

Fillimisht është duke u krijuar infrastruktura për kompostim shtëpiak në amvisëritë e para të zonës së përzgjedhur dhe qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i sasisë së mbeturinave komunale përmes zbatimit të kompostimit shtëpiak në nivel lokal, duke synuar në këtë mënyrë zvogëlimin e sasisë totale të mbeturinave të gjeneruar në zonën pilot, profitin ekonomik për përdoruesit të kompostimit përmes prodhimit të plehut organik, edukimin dhe vetëdijesimin për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinës tek qytetarët.


Qytetarët të cilët do të pajisen me infrastrukturë për kompostim shtëpiak do të kenë mundësi që mbeturinat siç janë barishtet e gjethet në oborret që posedojnë, mbeturinat e frutat e perimet, etj., t’i klasifikojnë dhe pastaj përmes pajisjeve infrastrukturore t’i shndërrojnë ato në pleh organik për nevoja të veta përmes procesit të dekompozimit në komposter.

Komuna e Mitrovicës do të vazhdojë me shpërndarjen e komposterëve tek të gjitha amvisëritë e fshatit Kçiq, për të planifikuar më tutje për zgjerim në të gjithë territorin e komunës.

Ky projekt është duke u zhvilluar në bashkëpunim me GIZ-in gjerman dhe organizagën GAC. /Telegrafi/