Mitrovica e ka mbyllur me barazim pa gola ndeshjen e parë ndaj Metalist 1925 të Ukrainës, në kuadër të raundit të parë kualifikues të UEFA Women’s Europa Cup.

Përballja e zhvilluar të mërkurën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, përfundoi me rezultatin 0:0.


Skuadra ukrainase krijoi më shumë mundësi për gol gjatë ndeshjes, por futbollistet e Mitrovicës u mbrojtën mirë dhe arritën ta ruajnë portën e paprekur.


Vendimi për skuadrën që do të vazhdojë tutje do të merret në ndeshjen e kthimit, e cila zhvillohet më 1 shtator në Shkup.

Ky është vetëm edicioni i dytë i Women’s Europa Cup, garë që përfaqëson nivelin e dytë kontinental për klubet e futbollit të femrave. Për Kosovën, ky është edicioni i parë në këtë kompeticion.

Mitrovica e siguroi pjesëmarrjen në Europa Cup pas një kampanje të mirë në UEFA Women’s Champions League. Në raundin e parë kualifikues, kampionia e Kosovës mposhti kampionen e Moldavisë në gjysmëfinale, ndërsa në finale triumfoi ndaj kampiones së Bullgarisë.

Në raundin e dytë kualifikues të Champions League, Mitrovica u mposht nga Brann i Norvegjisë, por fitorja ndaj Ferencvárosit të Hungarisë bëri që skuadra mitrovicase të siguronte kalimin në Europa Cup.

Kualifikimi mbetet plotësisht i hapur dhe do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Shkup. /Telegrafi/

telegrafi sport app