LAJMI I FUNDIT:

Miratohet rregullorja për transformimin e aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore me negocim direkt

Miratohet rregullorja për transformimin e aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore me negocim direkt

Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton se ka miratuar rregulloren për shitjen e aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore me negocim direkt. Rregullorja në rastin konkret përbën akt nënligjor të Agjencisë, e cila ka të bëjë me shqyrtimin e aseteve me natyrë specifike të cilat evidentohen në emër të ndërmarrjeve shoqërore.

Sipas AKP-së, marrja e një vendimi të tillë ka pasur parasysh faktin se ndaj ndërmarrjeve shoqërore dhe/ose aseteve të tyre, vazhdojnë të evidentohen një numër i konsiderueshëm i pretendimeve pronësore me natyrë potencialisht kontestuese, përderisa konstatimi i vlefshmërisë së këtyre pretendimeve kërkon një masë të konsiderueshme të kohës dhe punës profesionale.


Në pajtim me legjislacionin në fuqi, inicimi i procedurës administrative bëhet sipas detyrës zyrtare të AKP-së në emër dhe për llogari të ndërmarrjeve shoqërore dhe me kërkesën e palëve të interesuara, të cilat në Zyrat Rajonale ose në faqen zyrtare të Agjencisë mund të pajisen me formularin e kërkesës për inicimin e procedurës, i cili përmban elementet qenësore të kërkesës dhe disa nga udhëzimet parimore.

Në fund, AKP thotë se për këshilla dhe shpjegime eventuale qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen Zyrave Rajonale ose Zyrës Qendrore të Agjencisë. /Telegrafi/