LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë synon ndryshimin e konceptit ekomomik

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë synon ndryshimin e konceptit ekomomik

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj i shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës sot ka takuar drejtuesit e OEK-ut dhe përfaqësuesit e bizneseve, me qëllim të promovimit të programeve për financim të start-upeve dhe NVM-ve, të lansuara ditë më parë. Gjithashtu ministri Beqaj i ka informuar përfaqësuesit e bizneseve për punën dhe aktivitetet e Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi që nga themelimi i saj, me fokus në programet për financim të sektorit privat në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë të cilat e arrijnë vlerën 9.1 milionë euro për vitin 2018.

“Synimi im kryesor dhe i Ministrisë është ndryshimi i konceptit ekomomik në Kosovë, në mënyrë që ekonomia të fokusohet edhe në ofrimin e shërbimeve. Faktori jonë kryesor në ndërtimin e konkurrencës janë shërbimet dhe për këtë Kosova ka potencial të madh, në veçanti në fushën e shërbimeve të teknologjisë, ku kemi të vetmin bilanc pozitiv tregtar”, theksoi Ministri Beqaj.


Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi theksoi rëndësinë që ka përkrahja institucionale për bizneset dhe për këtë tha se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk do të marrë nga bizneset, por do t’ju jap atyre.

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e bizneseve ministri Besim Beqaj ka sqaruar edhe qëllimin e ndarjes së fondeve për sektor privat, që në harmoni me objektivat e MIN-së ka synim kryesor rritjen e kapaciteteve eksportuese të ndërmarrjeve kosovare dhe digjitalizimin e prodhimit dhe shërbimeve.

“E ardhmja e sektorit privat është digjitalizimi në funksion të rritjes së prodhimit dhe shërbimeve”, shtoi ministri Besim Beqaj.

Takimi i sotëm i ministrit Beqaj në OEK është mbajtur më qëllim të promovimit të programeve financiare për përkrahje të start-upeve dhe NVM-ve. /Telegrafi/