Faqja zyrtare e Istogut në ‘Facebook’ ka theksuar se pas largimit nga klubi pa u lajmëruar, Milicaj nuk do të jetë më i mirëpritur në qytetin e Istogut.

“Fillimisht më duhet të falënderoj tifozët e Istogut që më përkrahën sa isha pjesë e tyre, por tani ata po e tregojnë veten se kush janë në të vërtetë”, deklaroi fillimisht Milicaj për gazetën Arena. Ai thotë tutje që i ka treguar me kohë klubit që do të largohet, duke i demantuar zërat e ‘ikjes’.


“Klubi e ka ditur me kohë që kam oferta dhe që ka gjasa të largohem. I kam thirrur me kohë zyrtarët e Istogut për t’iu treguar rreth ofertës së Besës, por ata nuk kanë pasur kohë që të dalin. Para dy ditësh i kam lajmëruar përsëri duke iu dërguar mesazh. Ata e kanë ditur, kanë qenë të informuar gjatë gjithë kohës”, shtoi Milicaj, që ishte futbollisti më meritor për ngritjen e Istogut në Superligë. /Telegrafi/